Vendi ka hyrë në një spirale tkurrje dhe plakje të shpejtë të popullsisë, ku çdo vit po shkakton ndryshime të forta. Sipas shifrave zyrtare të popullsisë më 1 janar 2026, numri total i banorëve ka pësuar një rënie prej mbi 27 mijë personash brenda një viti, duke u reduktuar me 1.2%, por pesha e moshave të reja po zbehet me shpejtësi, ndërsa numri i të moshuarve po pëson rritje të ndjeshme, veçanërisht në grup-moshat më të thyera.

Balanca demografike po anon me shpejtësi nga moshat shumë të thyera. Të dhënat tregojnë se grup-mosha më e re, ajo nga 0 deri në 4 vjeç, ka pësuar një tkurrje me 2.3%, duke u pakësuar me rreth 2,477 fëmijë më pak vetëm në 2025. Ky trend negativ thellohet edhe më shumë tek moshat e reja dhe ato në prag të hyrjes në tregun e punës.

Rëniet më të mëdha vjetore janë regjistruar te të rinjtë e moshës 25-29 vjeç, me një tkurrje prej 4.4% apo rreth 5,955 persona më pak, si dhe te grup-mosha 30-34 vjeç, e cila ka shënuar tkurrjen më të fortë me 4.7%, që përkthehet në 6,853 individë më pak. Kjo rënie e moshës aktive për punë dhe e çifteve të reja reflekton jo vetëm rënien e lindshmërisë, por edhe ndikimin e vazhdueshëm të emigracionit të moshave produktive.

Popullsia që përfaqëson grup-moshat e reja 0-34 vjeç ka pësuar rënie me 33 mijë persona vetëm në një vit e barabartë, me madhësinë e bashkisë Kurbin.

Në krahun tjetër, procesi i plakjes së popullsisë po ecën me hapa të shpejtë, ku rritja më e madhe po vërehet te shtresat më të moshuara të shoqërisë. Ndërsa pothuajse të gjitha grup-moshat nën 65 vjeç po shënojnë rënie, ato më të thyera po shtohen me ritme të larta. Numri i personave të moshës 70-74 vjeç është rritur me 6.0%, ndërsa grup-mosha 75-79 vjeç ka pësuar një rritje të fortë prej 8.3% vetëm në vitin 2025.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*