Në ndryshimet që mazhoranca propozon t’i bëhen Kodit Penal, parashikohet që për të gjitha personat që bllokojnë rrugët, të ketë një dënim nga gjobë, deri në 3 vjet burg.

Sa i përket nenin 96 që më herët ka qenë mjekim i pakujdesshëm, në ndryshimet e reja, neni propozohet të quhet “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Neglizhenca në trajtimin mjekësor që shkakton vdekjen e pacientit, dënohet me burgim deri në katër vjet. Ndërkohë që në nenin aktual, është nga gjobë ose me burgim deri në 5 vjet.

Një nen i veçantë krijohet edhe për shkeljen e të drejtave të autorit, ku çdo vepër që  mbrohet nga e drejta e autorit dhe që shpërndahet pa pëlqimin e tij, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet, dhe nëse bëhet në bashkëpunim ose në mënyrë të përsëritur, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Neni 197 pëson ndryshim në themel, pasi tashmë lojërat e fatit ndalohen me ligj. Organizimi i lojërave të palejuara, siç janë garat sportive apo lojërat e fatit dënohet me burgim deri në tre vjet. Ndërkohë që me Kodin aktual Penal, kur Shqipëria nuk i kishte të ndaluara me ligj lojërat, Kodi penal parashikonte gjoba, ose me burgim deri në dy vjet në rast të përcaktimit të rezultateve në garat sportive apo shtrembërim të konkurrencës në këto aktivitete.

Ndërsa më herët vepër penale konsiderohej vetëm ndotja e ajrit, në ndryshimet që propozojnë deputetët e mazhorancës, dënim me burg do të ketë edhe për ndotjen e tokës. Neni 201 ndryshon thuajse totalisht, ku dënimi maksimal nëse nga kjo vepër penale shkaktohet vdekja e një ose disa personave dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vjet.

Me kodin e vjetër, dënimi është deri në 10 vjet.

Dënimi  është mjaft i ashpër edhe nëse ndotja e ajrit apo në thellësitë e tokës nga shkarkime, apo futje në përdorim të materialeve me rrezatim jonizues dhe radioaktiv, apo lëndëve toksike bëhet në zona të mbrojtura me ligj: Ndëshkim me burgim deri në 5 vjet!

Neni 202 pëson ndryshim të plotë, dhe i dedikohet specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër. Kush i vret, shkatërron apo tregton ato në shkelje të autorizimeve nga organet kompetente, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet.

Kodi aktual e parashikonte vetëm me gjobë, por tashmë masat janë shtrënguar për të gjithë personat që mbajnë kafshë dhe i shoqërojnë ato në ambiente publike. Në rast se kafsha paraqet rrezik për njerëzit duke mos i vendosur maskën mbrojtëse, pronari do të gjobitet me gjobë nga 30 deri në 100 mijë lekë. Por në rast të plagosjes së rëndë të nje personi, atëherë dënimi shkon në burg, nga 1 deri në 5 vjet.

Ashtu siç kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar në goditjen për shkak të detyrës, do të përfshihen edhe të zgjedhurit e funksionarët publik, punonjësit e policisë dhe bluzat e bardha. Kush ngre dorë ndaj tyre për shkak të detyrës që përfaqësojnë, do të dënohet,e burg nga 1 deri në 3 vjet heqje lirie. Kur kjo vepër penale kryhet në mjediset e institucionit ku personi ushtron detyrën, dënimi shkon nga 3 deri në 5 vjet burg.

Kanosja për shkak të detyrës
ISHTE

Kanosja serioze për vrasje apo për plagosje të rëndë, që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
BËHET
Kanosja serioze për vrasje apo për plagosje të rëndë, që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, dënohet me burgim deri në dy vjet.
Kur kjo vepër kryhet ndaj personit të zgjedhur apo funksionarit publik, për shkak të veprimtarisë së tij, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
Kur kjo vepër kryhet ndaj punonjësit të policisë për shkak të veprimtarisë së tij, kur cilësitë e personit janë të njohura ose të dukshme, dënohet me burgim nga dy deri në katër vjet.
Kur kjo vepër kryhet ndaj profesionistit shëndetësor për shkak të veprimtarisë së tij, kur cilësitë e personit janë të njohura ose të dukshme, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.”.

PRISHJA E QETËSISË PUBLIKE

ISHTE
Prishja e qetësisë publike
Hedhja e gurëve apo sendeve të tjera në banesën e shtetasit, krijimi i zhurmave shqetësuese si, me anë të shkrepjes së armëve apo plasjeve të ndryshme, të përdorimit jashtë rregullave të sirenave të automjeteve, apo çdo lloj tjetër sjelljeje të papëlqyeshme, në rrugë, sheshe e vende publike, që cenojnë dukshëm qetësinë e moralin apo tregon mospërfillje të hapët për mjedisin, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

BËHET
Në nenin 274 “Prishja e qetësisë publike” pas paragrafit të parë shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Ushtrimi i veprimtarisë ekonomike që lëshon/gjeneron zhurmë në mjedis, në kundërshtim me ligjin apo në tejkalim të normave të lejuara me ligj, kur është marrë më parë masa administrative,  dënohet me gjobë  nga  njëqind mijë deri në një milion lekë, ose me burgim deri në dy vjet”.

DHUNA NË SPORT
TË REJA
“Neni 274/a

Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv
Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
Po kjo vepër,  kur kryhet në mjediset sportive, më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 274/b
Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me bugim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar ose pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.  Po kjo vepër, kur kryhet në aktivitetet sportive ndërkombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.”.

ARMËMBAJTJA PA LEJE
ISHTE

Mbajtja e armëve, e armëve shpërthyese ose e lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve k kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

BËHET
“Mbajtja e armëve, e armëve shpërthyese ose e lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në shtatë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.”.

SIGURIA USHQIMORE

ISHTE 
Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin Prodhimi, importimi, ruajtja dhe shitja e ushqimeve, pijeve dhe lëndëve të tjera, e barnave të rrezikshme ose të dëmshme për jetën e shëndetin, si dhe futja në prodhim e kimikateve, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë e të pijeve, kur nga këto vepra ka ardhur vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet. Kur nga vepra është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

BËHET
Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin
Importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi për shitje, shitja apo vendosja në qarkullim në ndonjë mënyrë tjetër e ushqimeve, pijeve, lëndëve të tjera ushqimore, barnave të rrezikshme si dhe futja në prodhim e kimikateve, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë e të pijeve, në shkelje të kërkesave të legjislacionit të posaçëm dënohet me burgim deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur është kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose kur nga kjo vepër penale është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit ose vdekja e njeriut, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e disa personave, fëmijëve, grave shtatzëna dënohet me burgim nga dhjetë vjet deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*