OFL i ka kërkuar deklarimin e pasurisë dy personave të tjerë, të cilët janë subjekt i ligjit special.

Bëhet e ditur se OFL i ka dërguar formularë për deklarimin e pasurisë Orges Jahelezit banues në Tiranë, i dënuar për trafik të narkotikëve për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe Pajtim Serjani i akuzuar për shtrëngim dhe kanosje.

Biznesmeni Pajtim Serjani, mik i Emiljano Shullazi, është një emër i njohur për Drejtësinë. Serjani është arrestuar në vitin 2012 për moskallëzim krimi, pasi në 5 Prill të atij viti ka qenë objekti i një sulmi nga persona të armatosur në Yzberisht.

Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazi u dënua për gjobëvënie ndaj biznesmenit të kafes, Julian Bregu në vitin 2014.

Në vitin 2017 u la i lirë pasi përfundoi dënimin prej 3 vitesh të dhënë nga gjykata e Apelit pasi bashkë me të tjerë, i bëri presion biznesmenit të kafesë, Julian Bregu të lëshonte një pjesë të aksioneve të tij. Në shkallën e parë, Serjani ishte dënuar me 7 vite burg.

Pajtim Serjani mbeti i plagosur më 5 janar 2015 në një lokal në rrugën e Kavajës, pasi Arjanit Sterjo qëlloi mbi tavolinën ku po qëndronte ai, polici Roland Meta, Ditmar Reçi dhe Denis Ramani.

Serjani lëvizte në Tiranë me makina të blinduara ndërkohë që njihet si miku i Emiljano Shullazit. Në shtator 2017 policia i sekestroi Serjanit katër makina të blinduara më vlerë 1 milion euro. Tre prej makinave rezultuan të trafikuara nga vendet e BE, njëra prej të cilave me targa të falsifikuara.

Njoftimi i plotë

Operacioni Forca e Ligjit vijon me intensitet punën për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ nr. 1 të datës 31.01.2020., për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, si dhe për sekuestrimin e pasurisë në kushtet e emergjencës.

Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:

– O. J., banues në Tiranë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, në bashkëpunim”;

– P. S., banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Po në përmbushje të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ, OFL vijon veprimet e pandërprera, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe, duke kryer veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special.

Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*