Bashkia e Devollit ishte e rrethuar mëngjesin e sotëm nga të paktën 30 forca policore, ndërsa Eduard Duro, kryebashkiaku i Rilindjes, ka hyrë në zyrë që në orën 06:30 të mëngjesit.

Duket për të shmangur ndonjë incident apo përplasje, Duro ka zgjedhur të shkojë në zyrë përpara kohës kur normalisht nis puna për administratën, ndërkohë që ka siguruar ndërtesën me forca të shumta policore.

“Policinë e kam thirrur për të shmangur incidentet, pasi kisha informacione se do të kishte tubime”, tha Duro, ndërsa ka akuzuar Bledion Nallbatin, kryebashkiakun e opozitës, si dhe disa punonjës të bashkisë dhe familjarë të tyre, si organizatorët e protestës.

“Jam në pritje që punonjësit të vijnë në zyrë. Policinë e kam njoftuar unë. Nuk është normale por edhe grumbullimi i njerëzve nuk është normal.

Punonjësit e bashkisë janë të ftuar të hyjnë në zyrë, i kam ftuar personalisht. Nuk do të pengoj asnjë punonjës. Ndoshta nuk hyjnë se u vjen zor nga ish-kryetari ose janë detyruar nga persona të tjerë. Punonjësit do të hyjnë në punë, është detyrim ligjor. Nuk e besoj se nuk do të paraqiten“, u shpreh ai.

Në anën tjetër Nallbati e konsideroi si pushtim të institucionit të bashkisë hyrjen e Eduard Duros. Nallbati tha se do i shërbejë qytetarëve, do të jetë krah tyre kudo, ndërsa shtoi se ai është kryebashkiaku legjitim.

“Jam unë kryebashkiaku legjitim, më kanë zgjedhur 59 % e qytetarëve. Bashkia është e pushtuar, dhe pas pushtimit e kanë rrethuar me policë. Ata do të qëndrojnë këtu, ne do të qëndrojmë atje”, shtoi nallbati, duke paralajmëruar vijimin e protestave.

Nuk dihet se si mund të precipitojë situata në Devoll dhe në çfarë kushtesh mund të punojë Duro, kur do t’i duhet që të mbajë të rrethuar bashkinë me policë, nga frika e protestave.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*