Një grup banorësh të Kaninës akuzuan deputetin e Partisë Socialiste, Fate Velaj se po tentonte përmes gjykatës që t’u rrëmbente rreth 30 hektarë tokë –por Velaj i kundërshtoi akuzat dhe tha se prona i përket familjes së tij.

Një grup banorësh të Kaninës në Vlorë protestuan të enjten në fshat dhe nisën një peticion kundër deputetit të zonës, Fate Velaj, të cilin e akuzojnë se po tenton t’u marrë pronën. Banorët pretendojnë se janë paditur nga familja Velaj në gjykatë –ndonëse sipas tyre kjo familje i ka shitur pronat para Luftës së Dytë Botërore.

“Jam mbi 80 vjeç, i njoh mirë tokat dhe kufitarët. Fate Velaj të shkojë t’i kërkojë tokat në Austri. Në Kaninë nuk ka, të parët e tij i kanë shitur,” pretendoi Besim Limaj, një nga protestuesit e Kaninës

Deputeti Fate Velaj u shfaq në gjykatë të mërkurën, por u largua prej saj përpara se të fillonte seanca gjyqësore. Velaj i tha BIRN se proceset gjyqësore për pronën kishin filluar që në vitin 1993, ndërsa shtoi se vetë nuk merr pjesë në seanca dhe se procesin po e ndiqte e motra.

“Nuk kërkoj tokat e banorëve të zonës, ata kanë shfrytëzuar deri më tani në mënyrë të paligjshme pronat tona,” tha Velaj për BIRN.

Në vitin 2017, motra e Velajt, Miranda Ngjelina paditi disa banorë të zonës dhe kërkoi në gjykatë prishjen e një vendimi të Komisionit të Kthimit të Kompensimit të Pronave, KKKP të viteve 90’, që ka njohur trashëgimtarë të tjerë mbi pronën e pretenduar prej saj.

Fillimisht, gjyqtari Ervin Trashi ka vendosur moskompetecë, por çështja është rikthyer në vitin 2019 dhe i njëjti gjyqtar e ka marrë atë në shqyrtim.

Në vendimin e dytë, gjyqtari Trashi arsyeton se e gjithë sipërfaqja e kërkuar i mbivendosej asaj që KKKP ia kishte njohur trashëgimtarëve të Spiro Papalilo dhe se duhej t’i kthehej trashgimtarëve të Laze Velajt.

Sipas vendimit të gjykatës, deputeti Velaj dhe e motra kishin provuar pronësinë mbi rreth 11 hektarë tokë, të shprehur aty në njësinë e vjetër matëse 91 vreten. Në padi, familja Velaj pretendonte pronësinë mbi rreth 30 hektarë tokë. Çështja ndodhet tashmë në gjykatën e Apelit.

Një seancë e parashikuar të mërkurën në Gjykatën e Apelit të Vlorës dështoi për shkak të mosformimit të trupës gjykuese.

Ndërkohë të enjten, dhjetra banorë të Kaninës që preken nga padia dolën në protestë dhe nënshkruan një peticion për kryeministrin Edi Rama, në të cilin ngrenë dyshime mbi vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura nga motra e Velaj në proces.

“Pronat objekt gjykimi nuk krijojnë mbivendosje vetëm me palët e paditura, por edhe me kullotat e fshatit Kaninë si dhe fiseve Hysenaj, Xhindi, Dederaj, Bedinaj, Begaj. Ky fakt na bën të dyshojmë mbi vërtetësinë e provave të paraqitura në gjykim nga pala paditëse,” thuhet në peticionin e kryepleqësisë së fshatit.

Në protestë, banorët ngritën akuza ndaj deputetit Velaj dhe shtuan se nuk ishin njoftuar më herët për procesin gjyqësor.

“Kemi një ligjvënës që vjedh! Indinjata është e madhe,” tha Mentor Lamaj, një prej banorëve.

“Kërkon ullinjtë e mi dhe kullotat e fshatit. Ne ja ku jemi të gjithë, e dimë kë kemi kufitarë, ku i kemi pronat dhe cilat janë të secilit. Nuk kemi asnjë problem me njëri tjetrin, të vijë Fate Velaj të na thotë kë ka kufitarë,” tha Selamet Dredha, po ashtu banor i fshatit.

Deputeti Fate Velaj i kundërshtoi akuzat e banorëve dhe tha se disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të vijuar përballjen në gjykatë. Ai shtoi gjithashtu se nuk po kërkonte pronat e të tjerëve, por pronat e familjes së tij.

“Familja ime disponon dokumentin e “Daim”  ose regjistrit themeltar të pronave të vitit 1884. Nga arkiva e Perandorisë Osmane,” tha Velaj. Ai pretendoi se familja kishte shitur vetëm 33 vreten (rreth 40 mijë metra katrorë) nga 250 që kishte pasur në zotërim.

Ai pretendoi po ashtu se kishte dokumente të pagesës së taksave dhe po ashtu edhe të konfiskimit të pronës në vitin 1945.

Por Deputeti në fjal nuk ka prezantuar asnjë dokument e cila vërteton pronësin e tij edhe pse ështe kërkuar shumë her nga banorët e fshatit kaninë/BIRN

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*