Ndjekja e praktikës profesionale tre mujore është e detyrueshme për të gjithë farmacistët e rinj që duan të vijojnë më tej procedurat për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit. Sezoni i radhës për ndjekjen e praktikës për të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet universitare në këtë profil do të zhvillohet në muajt gusht-tetor. Ndërkohë për të qenë pjesë e saj, çdo kandidat duhet që të paraqitet personalisht pranë strukturave të Urdhrit Profesional të Farmacistit për të bërë regjistrimin dhe konfirmimin e vijimit të praktikës në farmacitë e rrjetit të hapur, nën mbikëqyrjen e një profesionisti të kësaj fushe.

“Regjistrimet për kryerjen e praktikës profesionale për sezonin gusht-tetor 2020 do vijojnë deri në datën 7 gusht. Praktika profesionale mund të kryhet vetëm në farmacitë e rrjetit të hapur ose ato spitalore, nën drejtimin e një farmacisti me jo më pak se 3 vite përvojë pune. Praktikantët për t’u regjistruar për kryerjen e praktikës profesionale duhet të paraqesin në Zyrën e UFSH dokumentet e përcaktuara. Është thelbësore të dini se praktikanti duhet të paraqitet personalisht për t’u regjistruar”, bëjnë me dije autoritetet e Urdhrit të Farmacistit.

Kandidatët që nuk do të bëjnë regjistrimin përkatës në këto data, do të duhet të presin sezonet e radhës për të shlyer këtë detyrim, e për rrjedhojë të mos vijojnë më tej procedurat për hyrjen në provimin e shtetit të këtij viti, rezultatet pozitive të të cilit bëjnë të mundur marrjen e licencës profesionale për të ushtruar këtë profesion.

Sa i takon procedurave të regjistrimit, në dosjen e dokumenteve të kërkuara duhet që të përfshini: “Kërkesën, vetëdeklarimin, kontratë tip për kryerjen e praktikës profesionale, fotokopje e certifikatës së anëtarësimit në Urdhrin e Farmacistit të drejtuesit të praktikës, fotokopje te noterizuar të diplomës dhe listës së notave, fotokopje e kartës së identitetit, raport mjeko-ligjor, fotokopje e plan-vendosjes së farmacisë, 3 fotografi, si dhe mandat pagesën prej 10 mijë lekësh të derdhur në numrin e përcaktuar të llogarisë në një nga bankat e nivelit të dytë”. Në rast se kandidatët nuk mund të gjejnë vetë një subjekt farmaceutik, ata do të orientohen nga urdhri në lidhje me farmacitë e mundshme ku mund të ndjekin praktikën profesionale.

Sipas kushteve të përcaktuara në rregullore, gjatë zhvillimit të praktikës profesionale me mbikëqyrje, praktikantit i paguhen sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore nga subjekti pranë të cilit ai kryen praktikën.

Po sipas rregullores, përjashtohen plotësisht, apo pjesërisht nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, të gjithë kandidatët që provojnë se për një periudhë të caktuar kohore, kanë ushtruar profesionin përkatës, apo kanë kryer praktikën profesionale jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë dije profesionale të mjaftueshme në fushën e farmaceutikës. Për t’u bindur nëse përvoja e kandidatit është e mjaftueshme aq sa për ta përjashtuar nga ndjekja e praktikës, autoritetet drejtuese të këtij urdhri, do të kërkojnë edhe dokumentin përkatës të lëshuar nga institucioni ku kandidati ka ndjekur këtë formim.

Në përfundim të praktikës, secili kandidat do t’i nënshtrohet testit të aftësimit praktik, ku do të dëshmojnë edhe njohuritë e fituara gjatë praktikës. Vetëm kandidatët që do të kalojnë me sukses provimin e praktikës do mund të hyjnë në sezonin e provimeve të shtetit për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit. Kandidatët që nuk marrin rezultatet kaluese në testin e aftësimit praktik, duhet ta rihapin atë sërish gjatë sezoneve të vitit të ardhshëm.

Më tej në rregullore përcaktohet se drejtuesi i saj, duhet që të përmbushë një sërë kushtesh, si: Të jetë profesionist me përvojë pune jo më pak se 3 vite, t’i sigurojë praktikantit kushtet e nevojshme për realizimin e një praktike efektive, të bëjë një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm njohurive të praktikantit dhe të pajisë praktikantin me Formularin e Vlerësimit të Praktikës, të drejtojë praktikën profesionale në përputhje të plotë me standardet, parimet dhe normat e Kodit Deontologjik Farmaceutik, si dhe me legjislacionin farmaceutik në fuqi. Gjithashtu duhet t’i, kërkojë praktikantit respektimin e orarit dhe ta dokumentojë atë në librezën e praktikës profesionale, si dhe të anulojë kontratën në rast shkeljeje të detyrimeve të saj nga ana e praktikantit dhe të njoftojë strukturat më të afërta të UFSH-së.

 

Dosja që duhet të dorëzoni për ndjekjen e praktikës:

Kërkesë sipas modelit të përcaktuar.
Vetëdeklarim sipas formatit të përcaktuar.
Kontratë tip për kryerjen e praktikës profesionale.
Fotokopje e certifikatës anëtarësimit në UFSH të drejtuesit të praktikës
Fotokopje te noterizuar të diplomës dhe listës së notave.
Raport mjeko-ligjor.
Tre fotografi (3×3.5 cm).
Mandat pagesën në shumën 10,000 lekë, në numrin përkatës të llogarisë.
Fotokopje e Kartës së Identitetit;
Praktikanti duhet të paraqitet personalisht për t’u regjistruar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*