Gentian Doda, i përfshirë në aferën korruptive që vuri pas hekurave gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri, u ekstradua dje nga Mbretëria e Bashkuar dhe pritet që të gjykohet nga Krimet e Rënda.

I konsideruar si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore nga Policia, Doda u arrestua në Mançester disa muaj më parë, pasi akuzohet se me anë të një shume prej 30 mijë eurosh ndikoi te gjyqtari, në mënyrë që trupa gjykuese të bënte ndryshimin e kualifikimit të veprës penale, gjë që i lehtësoi edhe masën e dënimit.

“Nga specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Londra/Mbretëri e Bashkuar drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar G.D., 41 vjeç, lindur në Tiranë. Shtetasi G.D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin penal nr. 416, datë 10.11.2017, ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të drejtësisë’“, njoftoi dje Policia.

PËRGJIMET

Me kusht lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Matit, që kishte ndryshuar veprën penale për Gentian Dodën, ky i fundit, i ndihmuar edhe nga një i afërm i tij, ka korruptuar duke i dhënë 30 mijë euro gjyqtarit Miri dhe shuma e eurove është dorëzuar në një lokal në pronësi të gjyqtarit. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, Prokuroria për Krime të Rënda i paraqiti gjykatës një sërë përgjimesh dhe pamjet e kamerave të sigurisë në lokal, ku dukej dorëzimi i zarfit që mbante shumën e eurove.

Nën përgjim janë vënë disa numra, ndër ta edhe Gentian Doda, i cili edhe pse ishte në burg, përdorte telefon personal. Më tej, në përgjim është vënë vjehrri i Dodës dhe kushëriri i tij, Alban Buci, i cili ka bërë edhe dorëzimin e lekëve te Kujtim Miri, vëllai i gjyqtarit. Në një nga bisedat e përgjuara të Gentian Dodës, ai është duke folur me vjehrrin e tij, ku i shpjegon se ku duhet ta marrë shumën prej 15 mijë euro për të plotësuar 30 mijë euro, për t’ia dhënë Kujtim Mirit në lokalin në pronësi të ishgjyqtarit.

Pas marrjes së eurove, vjehrri i Dodës, së bashku me Alban Bucin, shkojnë në lokalin në pronësi të ish-gjyqtarit Miri. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe janë regjistruar biseda të Bucit me një tjetër shtetas, P.Miri, të cilit i shpjegon se kishin pasur disa probleme dhe për këtë janë vonuar pak dokumentet (sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për lekët). P.Miri i thotë se duhet të shkojnë te lokali dhe të presin aty derisa ata të shkojnë, sepse ishin te Kisha e Laçit, ose të shkojnë te lokali dhe të pyesin për vëllain e Çimit (bëhet fjalë për Shkëlqim Mirin).

Nga përgjimet ambientale të kryera nga hetuesit, është ndjekur automjeti i Bucit, që ka shkuar në Laprakë dhe është takuar me shtetasin G.P., i cili i ka dhënë shumën prej 15 mijë euro në një zarf. Pas kësaj, Buci së bashku me vjehrrin e Dodës kanë shkuar te lokali i Shkëlqim Mirit dhe kanë kërkuar për vëllain e tij.

Pasi kanë ndenjur aty për rreth 9 minuta, kanë dalë dhe janë larguar. Dhënia e zarfit, i cili ishte me euro, është fiksuar nga kamerat e sigurisë së lokalit, të sekuestruara nga hetuesit dhe të administruara nga gjykata.

Nga këqyrja e telefonit të Alban Bucit ka komunikime në “Whatsup” me Gentian Dodën, ku është gjetur një mesazh ku shkruhet: All ok now … by the middle of net month …”, e përkthyer në shqip: “Tashmë gjithçka në rregull, nga mesi i muajit që vjen …”, ky mesazh është fill pasi kanë dalë nga lokali i Shkëlqim Mirit dhe kanë lënë “dokumentet”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*