Dënohet me 15 vite burg në Itali për trafikun e drogës Shqipëri-Itali, Moisi Habilaj. Lajmi bëhet i ditur nga Meridionews, agjensi lajmesh në Katania.

Habilaj, i njohur dhe si kushëri i ish-ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri, u arrestua gjatë operacionit “Trëndafili i erës” në tetor të vitit 2017, ndërsa sot gjyqtarja Maria Cardillo vulosi vendimin, e bindur, sië thotë media italiane, që ai nuk ishte “një punëtor i thjeshtë i marijuanës, por një bos i vërtetë në kartelin që importonte drogë dhe armë nga Shqipëria në Sicili”.

Gjyqtarja e dënoi me 15 vite, pesë muaj dhe dhjetë ditë Habilajn, 3 vite më pak se sa kërkoi prokuroria e Katanias.

Për avokatët e tij, Giuseppe Ragazzo dhe Maria Caltabiano, ai kishte pasur thjesht rolin e “transportuesit”, arsye për të cilën ata kërkuan lirimin nga rrethanat rënduese.

Në paraburgim që nga tetori i vitit 2017, Habilaj, raportohet të ketë pranuar pjesërisht përgjegjësitë e tij, duke vendosur që t’i përgjigjej pyetjeve të magjistratëve italianë dhe shqiptarë. Ai ka shpjeguar se i përgjigjej urdhrave të një personi të quajtur Fatosh, pa ia përmendur emrin. Megjithatë mbeten ende shumë pikëpyetje edhe në lidhje me blerjen e disa bizhuterive, të kryera në Catania në dhjetor të vitit 2013 e të destinuara, për bashkëshorten dhe nënën e ish-ministrit Tahiri, si del edhe në përgjimet e Prokurorisë së Katanias.

Ndërkohë, Nazer Seiti, i konsideruar si financier i grupit Habilaj është dënuar me 7 vjet, katër muaj dhe 26 ditë burgim. Seiti është gjithashtu i pandehuri i vetëm, i gjykuar me procedurë të shkurtuar, që është arrestuar në Shqipëri dhe pastaj u ekstradua në Itali.

Në fillim të nëntorit 2018, Prokuroria e Katanias pushoi hetimet për ish-ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri, pavarësisht se në Shqipëri, Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet për të nën dyshimet se ka favorizuar dhe bashkëpunuar me grupin Habilaj.

Për dosjen Habilaj që po hetohet në Shqipëri vijojnë të jënë në kërkim edhe 3 ish-zyrtarët e Policisë së Vlorës: Jeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode.

Banda e Habilajve në Vlorë u kap pas një hetimi 2-vjeçar të antimafias italiane, e cila përgjoi të gjithë grupin që transportonte hashashin e prodhuar në Shqipëri drejt Italisë, në Siçili.

Në kohën kur u kap një anije me qindra kilogramë hashash, u arrestuan edhe Moisi Habilaj, i afërt i ish-ministrit Tahiri, bashkëpunëtorët e tij si dhe pjesa e rrjetit italian.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*