Nga Agron Brataj
Sot, më 7 tetor, bota kujton me deklarata të zyrtarizuara, me fjalë të mëdha dhe me tone të rënda sulmin e Hamasit ndaj civilëve izraelitë, ngjarje që ndodhi dy vjet më parë dhe që shkaktoi dhimbje, vdekje dhe frikë.
Liderët botërorë, nga Perëndimi në Lindje, dolën me deklarata të qarta,nuk do ta harrojmë kurrë. Dhe s’duhet harruar çdo jetë e pafajshme e humbur është një tragjedi për njerëzimin.
Por, a nuk është gjithashtu tragjedi humbja e jetëve të pafajshme në Gaza? A nuk janë viktima fëmijët që vdiqën të uritur, pa ujë, pa ilaçe, nën rrënojat e shtëpive të tyre që u kthyen në shënjestra?
A nuk janë viktima të pafajshme familjet që u asgjësuan nga bombat e hedhura nga avionët që liderët e sotëm i furnizojnë me armë e teknologji lufte?
Sot, asnjë prej këtyre liderëve nuk doli të përmendë 15 mijë fëmijët palestinezë të vrarë gjatë dy viteve të fundit. Asnjë nuk tha: “Nuk do t’i harrojmë kurrë” ata që vdiqën jo sepse kishin zgjedhur të luftonin, por sepse ishin në vendin e gabuar, në kohën e gabuar në shtëpinë e tyre.
Asnjë deklaratë për shtyp për fëmijët që vdiqën nga uria, një uri e shkaktuar jo nga ndonjë katastrofë natyrore, por nga një rrethim politik, ushtarak dhe ekonomik që u mbështet, u justifikua dhe u hesht nga të njëjtët liderë që sot flasin për dhimbje njerëzore.
Asnjë fjalë për përgjegjësinë që mbajnë vetë këta liderë, që shesin armë, që votojnë në OKB për të bllokuar rezolutat për ndaljen e luftës, që heshtin kur Amerika e mban gjallë me mbështetje të pakushtëzuar makinerinë ushtarake izraelite.
Sepse po, Amerika mund ta ndalë këtë luftë me një fjali. Një “jo” e thënë nga Shtëpia e Bardhë do të mjaftonte që bombat të ndalonin së rëni mbi Gaza. Por ajo fjali nuk thuhet sepse dhimbja nuk matet njësoj për të gjithë, sepse bota nuk qan njësoj për çdo fëmijë të vrarë.
Sot, liderët botërorë treguan edhe një herë se ka dy lloj viktimash, ata që u përkujtohen botës dhe ata që harrohen, fshihen, injorohen sepse nuk përshtaten me politikën e atyre që shkruajnë historinë.
Dhe kjo është krimi më i madh i kohëve tona, përzgjedhja selektive e dhimbjes.