Nga Armandi Xhelili

Vlora është një vend ku çdo kush di çdo gjë për gjithëkënd. Një vend ku thashethemi bëhet diskutim dhe pastaj besohet si e vërtetë.
Për këtë gjë herë pas here ka folur edhe kryeministri Edi Rama i cili ndër të tjera ka thënë se Vlorën e ka dobësi, por e kanë lodhur mesazhet dhe intrigat, aq sa lufta më e madhe është brenda partisë dhe jo opozita duke sulmuar PS. Që para se Dredha të jepte dorëheqjen, vendi i kryetarit të bashkisë ka qenë i lakmuar nga shumë persona, madje edhe nga ata që vetë Dredha i ka cilësuar si shumë të afërt. Megjithatë, çdo kush ka të drejtë të mendojë për arritjet e veta politike apo ambicien për të drejtuar një qytet si Vlora.

Ermal Dredha dha dorëheqjen dhe dorëheqja e tij do pranohet pasi ka qenë e parevokueshme dhe askush nuk mund të luajë me shkresa të çuara mbi tavolinën e KM dhe pastaj të mendojë të kundërtën. Ermal Dredha, një kryetar i cili kishte ardhur nga një karrierë e gjatë diplomatike, mendoi se Bashkia dhe kushdo që punon do bënte punën që i takonte, por shumë shpejt i ndodhi e kundërta, ku çdo kush nuk bënte punën që i takonte por merrej me punën e tjetrit, duke i krijuar kështu një terren aspak të favorshëm për bashkinë por duke i krijuar pengesa.

Kur Ermal Dredha e kuptoi që përveç sfidës me problemet e qytetit, një tjetër sfidë që iu ngarkua ishte stafi i Bashkisë i cili çdo ditë e ngarkonte duke i thënë që kjo apo ajo nuk bëhet. Nëse Ermali do kishte nisur fshesën brenda Bashkisë që vitin e parë, nuk do kishte dhënë sot dorëheqjen.

Në një kohë kur Vlora sot është pa kryetar bashkie, lobet janë forcuar për emrin e radhës. Për këtë ka nisur një gjueti midis emrave potencialë apo atyre të cilët pretendojnë për postin e kryetarit të Bashkisë. Faktorë të brendshëm dhe të jashtëm po investohen në mënyrë që emri si kandidat i radhës për bashkinë e Vlorës të jetë personi që ata duan.

Por KM edhe këtë gjë e ka marrë vesh dhe ajo çka mësohet, si gjithmonë Rama po eksperimenton duke hedhur emra në treg, por asnjëherë s’ka vendosur atë emër që ka hedhur në treg. Kujtojmë këtu dy vite më parë emrat potencialë, ish-deputetë, deputetë, apo edhe njerëz me karrierë u përgatitën, por në fund Dredha u shfaq si emri më potencial. Lufta që po bëhet brenda PS nuk i bën dëm askujt përveç socialistëve!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*