TIRANË – Një tërmet i fuqishëm shkundi Shqipërinë ku pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, ai i orës 03:55 të mëngjesit të së martës, me magnitudë 6.4 ballë, rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht 11 viktima. Në Thumanë, aty ku paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët. Në prehërin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorrën gjallë nipin e vogël.

Në Thumanë janë shembur totalisht tre pallate, dhe nën rrënoja ka disa persona për të cilit forcat zjarrfikëse po punojnë për t’i nxjerrë gjallë, me shpresën e madhe. Edhe në Durrës ku dëmët janë të shumta, tre të pajetë u nxorrën nga rrënojat e pallateve të shembur, ndërsa një u gjet tek Vila Palma në Durrës. Në Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i kapur nga paniku në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë. Po në Kurbin, një tjetër person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.

Sipas sizmiologut Rrapo Ormëni, tërmeti ka zgjatuar nga 20-0 sekonda, është i njëjtë me atë të vitit 1926 dhe ka patur intensitet 8 ballë. Goditja më e madhe tashmë ka kaluar dhe pritet të ketë disa paslëkundje.

Pas lëkundjes të fortë 6.4 ballë thuajse të gjithë qytetarët dolën në rrugë, shumica u larguan me automjete në zona të parrethuara nga ndërtesa, duke krijuar një situatë kaosi edhe në rrugë. Qytetet si rrallë herë u zgjuan jo nga lindja e diellit, por nga goditjet e forta sizmike të orës 03:35. Fatkeqësisht, një grua e moshuar u zu e gjallë nën rrënoja, teksa me siguri ajo ka qenë në gjumë.

Epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana. Dëme të shumta materiale janë shënuar në disa godina në këto qytete.

Në Tiranë si në gjithë qytetet e tjera, mijëra njerëz dolën nëpër rrugë të terrorizuar nga lëkundjet dhe duke pritur me ankth lëkundje të tjera. Nisur edhe nga fakti që prej orës 02:47 minuta e deri në vazhdim, janë shënuar lëkundje të herëpashershme.

1574760701_siishtesiube.jpg

Ajo çfarë ka mbetur nga hoteli Tropikal që u shemb ditën e sotme në Durrës, janë vetëm gërmadhat. Report Tv ka siguruar pamjet e këtij hoteli si ka qenë ndërkohë që tashmë kanë mbetur vetëm mbetjet inerte. Në këtë hotel janë arritur që të gjenden të gjallë dy vëllezër kosovarë të cilët kanë mbetur  të bllokuar për disa orë në pjesën e korridorit të hotelit të rrënuar.

 

Ora 10:07

TRAGJEDI/ Shkon në 11 numri i viktimave nga tërmeti, një grua dhe një fëmijë nxirren pajetë nga rrënojat

Një fëmijë dhe një grua nuk i kanë mbijetuar tërmetit. Trupat e tyre janë nxjerrë të pajetë nga forcat e kërkim shpëtimit në zonën e Kënetës në Durrës. Pritet të mësohet identieti i tyre, ndërkohë që vijojnë operacionet për shpëtimin e dhjetra personave të tjerë që dyshohet se janë nën rrënoja në Thumanë dhe Durrës, dy zonat më të prekura

Ora 10:00

Nëna, motra dhe mbesa tij bllokohen nën rrënoja, banori në Thumanë vë kovën në kokë dhe ndihmon në misionin e shpëtimit 

Në misionin për shpëtimin e jetëve në Thumanë janë angazhuar edhe familjarët e personave të mbetur nën rrënoja. Një prej tyre ka treguar se motra, nëna dhe mbesa e tij kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Ai tha se nëna dhe mbesa nuk reagojnë.

“Kam motrën. Ajo reagon por nëna dhe mbesa jo. Tre veta janë brenda. Motra quhet Lindita Cara”, u shpreh banori. Ai është afruar me një kovë në kokë pranë dhomës ku kanë mbetur të bllokuara familjaret e  tjer

Ora 09:49

Rëndohet edhe më shumë bilanci i viktimave nga tërmeti, nxirret një vajzë e pajetë në Durrës (VIDEO)

Rëndohet edhe më shumë bilanci i viktimave nga tërmeti në Shqipëri. Raportohet se në Durrës, në lagjen numër 13 është gjetur një persona i pajetë. Ai është nxjerrë nga rrënojat e shembjes së një godine, pas operacionit të kërkimit. Ndërtesa e shembur ndodhej pas hotel Lubajnës në Durrës, e cila gjithashtu pësoi dëmtime nga lëkundjet sizmike 6.4 ballë me epiqendër në Detin Adriatik. Raportohet se nën rrënoja janë edhe dy persona të tjerë, për të cilët është duke u punuar nga forcat speciale për tu nxjerrë, me shpresën se do të jenë gjallë.

Ora 09:40

Xhaçka: Jemi me mendje dhe zemër pranë personave që kanë humbur të afërmit nga tërmeti! I gjithë shteti është në këmbë (VIDEO)

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka bërë një komunikim për situatën e deritanishme nga tërmeti i fuqishëm që ka goditur Shqipërinë. Xhaçka tha se i gjithë shteti është në këmbë, ndërsa u shpreh se po mblidhen raportime nga çdo qark për të përllogaritur dëmet.

“Deri tani janë 135 të lënduar dhe 12 shtrime në spitalin e Durrësit, 60 në QSUT dhe rastet janë duke u shtuar. Janë konfirmuar 7 jetë të humbura, 3 në Durrës, një në Lezhë e një në Kurbin. Operacionet vazhdojnë. Jemi pranë me mendje dhe me zemër të afërmve dhe familjarëve të tyre. Jemi ende duke mbledhur raportime nga çdo qark, por është e pamundur të llogariten dëmet tani. Kurajo të gjithëve. I gjithë shteti është në këmbë”, u shpreh Xhaçka.

Deklarata e plote

Këto janë momente shumë të vështira për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nëse ndodhen në zonat që pësuan goditjen e madhe të tërmetit, apo në zonat e sigurta ku goditja ka kaluar pa pasoja.

Ngjarja është vërtet shumë e rëndë. Situata është e vështirë. Për fat të keq nga kjo goditje ka pasur jo vetëm më shumë dëme e më shumë të plagosur, por edhe viktima. Deri në këtë moment janë konfirmuar 7 qytetarë, që kanë humbur jetën. Është shpresa jonë, është lutja e çdo qytetari shqiptar, që ky numër të mos rritet më tej dhe, me mendje e me zemër, ju gjendemi pranë të gjithë atyre qytetarëve, që ende s’kanë mundur të rivendosin kontaktin me të afërmit e tyre.

Është një moment i tmerrshëm, por dua t’u them të gjithë qytetarëve që ky nuk është një moment për të vajtuar. Ky është një moment për t’u solidarizuar, për të ndihmuar njëri – tjetrin, për të menaxhuar me gjakftohtësi një situatë tragjike dhe tejet të vështirë. Dhe dua të falënderoj qytetarët e Durrësit, Golemit, Kavajës, Thumanës e cilido qytet tjetër të prekur nga tërmeti, që kanë bërë aq shumë për të ndihmuar të afërmit e fqinjët, për të mbështetur forcat e emergjencës, duke shpëtuar jetë.

Goditja kryesore e tërmetit u shënua në orën 3:55 minuta dhe ishte e magnitudës 6,3, me thellësi 10 km dhe me epiqendër në Durrës.

Një tjetër goditje kryesore e shkallës 5.5 Rihter dhe epiqendër në Kepin e Rodonit, u shënua pas goditjes së parë, ndërkohë që prej atij momenti janë shënuar mbi 100 goditje dytësore dhe situata mbetet ende aktive.

Durrësi dhe Thumana janë dy lokalitetet e goditura më rëndë. Me dëme të mëdha materiale e tragjikisht edhe me 7 jetë të humbura, siç konfirmohet deri në këto momente sipas informacioneve paraprake. Në të gjitha këto zona, në të gjitha godinat e shembura vazhdon puna e kërkim – shpëtimit, por siç keni mundur ta ndiqni edhe përmes mediave, janë operacione tejet të vështira, ku duhet punuar ngadalë pasi ekziston një rrezik shumë i madh që godinat të pësojnë shembje ose rrëshqitje të mëtejshme, duke rrezikuar jo vetëm banorët që mund të jenë të bllokuar, por edhe forcat e shpëtimit.

E gjithë qeveria dhe e gjithë struktura drejtuese e Emergjencave Civile është në terren. Bashkë me Kryeministrin kemi qenë në zonat e prekura që në momentet e para, bashkë me FA, Policinë e Shtetit, forca të përforcuara zjarrfikëse dhe ambulanca, të cilat janë të pranishme dhe duke punuar në zonat e goditura më rëndë. Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e shërbimit shëndetësor, nga të gjithë qarqet, janë nisur drejt Durrësit, ku situata është më e rëndë.

Janë 400 efektivë të FA aktualisht në terren, por e gjithë FA ka kaluar tashmë në gjendje gatishmërie të plotë.

Janë mbi 1000 efektivë të Policisë së Shtetit në gatishmëri dhe disa qindra personel mjekësor, por është një situatë e rëndë, qoftë për shkak të numrit të madh të godinave të dëmtuara, qoftë për shkak të shtrirjes së tyre gjeografike. Është një situatë dhe një ngjarje e përmasave të atilla që çdo vend do ta kishte të vështirë për ta përballuar i vetëm.

Lajmi i mirë, është që nuk jemi vetëm. Të gjithë aleatët kanë ofruar ndihma urgjente. Ndërkohë që grupet tona vazhdojnë punën janë duke mbërritur grupe të specializuara kërkim – shpëtimi nga Italia dhe grupe ekspertësh janë vënë në lëvizje tani që flasim edhe nga Turqia. Vëllezërit tanë në Kosovë janë duke dërguar po ashtu ekipe të specializuara të FSK për të ndihmuar dhe të gjithë aleatët kanë ofruar ndihmë bashkë me BE, i gatshëm për të angazhuar mekanizmin e Mbrojtjes Civile.

E thashë më lart, që qytetarët kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme me solidaritetin e tyre. Ata janë heronjtë e vërtetë të kësaj dite, por ndihma më e madhe që ju kërkoj të na japin tani, është që të kufizojnë në maksimum lëvizjet me automjete, për t’ju dhënë mundësi qarkullimi mjeteve të emergjencës. Në orët e para pas tërmetit kryesor, forcat e emergjencës kanë hasur në vështirësi serioze për të arritur në lokalitetet e dëmtuara më rëndë, për shkak të bllokimit të rrugëve.

Dua t’ju bëj thirrje me forcë, të gjithë qytetarëve, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar, që të evitojnë qëndrimin në këto ambiente. Është shumë e rëndësishme që dëmtimet të verifikohen, që të ketë një prognozë të saktë nga ekspertët të sigurisë së tyre.

Ju bëj thirrje qytetarëve, po ashtu, që të ruajnë qetësinë dhe gjakftohtësinë. Edhe sot, për fat të keq, ka pasur shumë dëmtime që janë shkaktuar nga paniku. Kjo është një situatë ku ka nevojë për qetësi, solidaritet dhe gjakftohtësi.

Mësimi sot në të gjitha shkollat, universitetet, kopshtet e çerdhet është pezulluar dhe do të vazhdojë i pezulluar edhe nesër. Është një mundësi që familjet të mblidhen së bashku për të siguruar sidomos më të vegjlit që e kanë vuajtur më shumë situatën e frikës e traumës. Por është edhe një mundësi që studentët nga qytetet e tjera të Shqipërisë që studiojnë në Tiranë e Durrës, të mund të kthehen pranë familjeve të tyre sepse e kuptojmë fare mirë ankthin e frikën që ka ndjerë sot çdo familje që ka të afërm veçanërisht në Durrës, Lezhë apo Tiranë.

Për një pasqyrë paraprake të situatës, që dua ta theksoj është duke u përditësuar minutë pas minute:

Rezultojnë deri tani 135 të lënduar dhe 12 shtrime të konfirmuara në spitalin e Durrësit. 60 të shtruar në QSUT, por rastet janë duke u shtuar.

Janë konfirmuar 7 jetë të humbura. 3 në Durrës, 2 në Thumanë, një në Lezhë dhe një rast në Kurbin.

Fatkeqësisht, operacionet e kërkim shpëtimit vazhdojnë dhe janë ende një numër qytetarësh që mendohet se ndodhen nën rrënojat e disa godinave të shembura në Durrës. Lutja jonë është që ata të gjenden shëndoshë e mirë dhe ju gjendemi pranë me mendje e me zemër familjarëve të tyre. Do të bëjmë çdo gjë që është e mundur për t’i shpëtuar.

Është e parakohshme dhe është e pamundur që t’ju jap qoftë edhe një shifër paraprake të godinave të dëmtuara, sepse jemi ende duke mbledhur raportime nga çdo qark dhe do t’ju mbajmë të informuar ore pas ore gjate gjithë ditës.

Kurajo, gjithë shteti është në këmbë dhe do të bëjmë gjithçka për ta përballuar sëbashku këtë situatë kaq të veshtirë

Ora 09:36

Drejtori i Spitalit të Traumës: 15 të shtruar nga dëmtimet nga tërmeti! 3 prej tyre në gjendje të rëndë

1574757280_thumane.jpg

Drejtori i Traumës Arben Zenelaj është shprehur se deri në këto momente në spitalin e Traumës janë paraqitur 180 persona për shkak të dëmeve nga tërmeti.

Ai tha se vijojnë të jenë në gjendje të rëndë 3 persona, një prej të cilëve i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Zenelaj tha se një prej tyre është nga Durrësi dhe dy nga rrethinat e Tiranës.

“Janë të shtruar 15, 20 prej tyre në ekzaminime, 3 në gjendje të rëndë. Pjesa tjetër janë me dëmtime më të lehta. Numri i pacientëve që janë paraqitur në spital është 180.

Në momentin që vijnë në spital të bashkëpunojnë me personelin mjekësor. Të gjitha spitalet janë në gjendje gatishmërie.

1 pacient është operuar. Një prej tyre nga Durrësi, dy të tjerët nga zonat e Tiranës”, tha Zenelaj.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësë njofton se në spitalin e Durrësit kanë marrë trajtim mjekësor 150 persona ndërsa në QSUT 60 të tjerë.

Njoftimi i plote

Ekipet mjekësore janë në gatishmëri të plotë në spitale për t’i dhënë ndihmën e parë çdo qytetari në nevojë, si pasojë e tërmetit të fortë që goditi vendin.
Janë paraqitur për trajtimin e duhur mjekësor 180 të lënduar në spitalin universitar të Traumës, prej të cilëve 15 janë shtruar në spital, prej tyre 3 janë në gjendje më të rënduar.

Në Spitalin e Durrësit 150 të lënduar kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa vijojnë të mbërrijnë qytetarë që kanë nevojë për ndihmë.

60 të lënduar janë trajtuar në QSUT

Qendra e koordinimit të Urgjencës ka pritur 392 thirrje dhe janë realizuar 91 misione në spitale.

Ministrja Manastirliu po ndjek nga afër situatën bashkë me ekipin e shëndetësisë që po japin ndihmën e nevojshme shëndetësore çdo qytetari në nevojë!

Ora 09:24

Identifikohet viktima e parë e tërmetit, është një djalë i ri nga Thumana me historinë e trishtë

Kristian Preçi, është një djalë i ri i cili kishte dalë nga burgu vetëm pak ditë më parë.

Fatkeqësisht ai u nda nga jeta si pasojë e tërmetit të fuqishëm që tronditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Kristiani ishte banorë i Thumanës, zonës që u godit më shumë nga tërmeti, me tre pallate totalisht të shembur, nën rrënojat e të cilëve u gjetën viktima, ashtu sikundër pati edhe lajme të mira për të shpëtuar brenda atyre rrënoja. Por Kristiani nuk pati atë fat. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka dhënë avokati i tij. “Sot humbi jetën nga tërmeti Kristian Preçi banor i Thumanës, klienti im që fitoi pafajësinë pas 5 muajsh burgim të padrejtë. Ngushëllim familjarëve, qoftë i parajsës. Kristiani ishte një djalë i mrekullueshëm. Iku shpejt”, shkruan avokati.

Ora 09:19

‘Shyqyr o zot…’, momenti kur gruaja nxirret nga rrënojat në Thumanë, shpëtohet edhe një burrë! Një tjetër gjendet i pajetë (VIDEO)

Një grua rreth është nxjerrë nga rrënojat e pallatit në Thumanë. Ajo është e qujatur Manjola dhe ka patur plagë të rënda por fatmirësisht ka reaguar dhe ka komunikuar.  Ndërkohë po ashtu është shpëtuar edhe një burrë rreth 40-vjeç.

Fatkeqësisht nga rrënojat eshte nxjerrë i pajetë edhe trupi i një personi, ende të pa identifikuar.  Kështu numri i viktimave vetëm në Thumanë shkon në 3.

Forcat e shpetimit po punojne me 4 fronte ndërhyrje.

Ora 09:16

Vullnetarët e Emergjencave Civile: Të nisim menjëherë operacionin për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve të lënduar

1574754909_durres.jpg

Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile ka bërë apel të gjithë vullnetarëve, mjekëve dhe infermierëve, që të angazhohen menjëherë për të nisur një operacion shpëtimi për njerëzit që janë të lënduar nga tërmeti i rënë mëngjesin e sotëm.

“Situatë emergjente! Të dashur vullnetarë, situata është katastrofike në Thumanë dhe Durrës. Ndaj kërkohet angazhimi i menjëhershëm i mjekëve dhe infermierëve të qendrës tonë për të nisur një operacion shpëtimi për njerëzit, që janë lënduar.

Sa më shpejt të veprojmë sot për të shpëtuar jetë njerëzish. Numri i kontaktit 069 74 40 332.

Sot ndihma juaj është më shumë se e çmuar për ta përballuar këtë fatkeqësi të madhe që ka prekur vendin tonë. Sot është dita, që duhet të tregojmë solidaritetin tonë për të mos shënuar më shumë viktima se deri më tani.”-shkruan Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile.

Ora 09:10

Vila ndahet më dysh, shpëtojnë mrekullisht familjarët në Durrës

Një vilë në zonën e plazhit pranë Urës së Dajlanit në Durrës është ndarë më dysh, por fatmirësisht në këtë rast nuk janë shënuar viktima.

Ora 08:58

Çfarë mbeti në tre pallatet në Thumanë, dera e vetme e ‘paprekur’ mbetet në ajër

Qyteti i Durrësit dhe i Thumanës janë dy zonat më të prekura nga tërmeti tragjik që ra orët e para të mëngjesit të sotëm. Në Thumanë janë shembur totalisht 3 pallate. Report Tv sjell pamjet e asaj çfarë ka mbetur nga pallatet e shembura. Ashtu siç shihet në foto në katin e fundit të njërit prej pallateve ka mbetur lartë vetëm dera që duke i ka rezistuar lëkundjeve.

Ora 08:48

1900 policë në terren, u jepet ndihmë 260 qytetarëve

Rreth 1,900 forca policie janë të angazhuara në terren, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.  Deri në këto momente u është dhënë ndihmē mbi 260 qytetarëve.

“Për çdo ndihmë telefononi në numrin falas 112!”, apelon policia

Ora 08:44

Shpëtohen 23 persona nga rrënojat në Durrës

Shpëtohen nga rrënojat e ndërtesave të shëmbura,rreth 22 persona në qytetin e Durrësit, të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjeksore. Ndërkohë operacionet e shpëtimit po vijojnë kërkimin e personave të tjerë që mund të gjenden nën rrënoja në ndërtesat e shembura. Pas kërkimeve, u nxorr gjallë nga rrënojat e një pallati pranë kryqit të Kuq në lagjen numër 18, një grua e moshuar.

 

Ora 08:43

Shtatë përsona nën rrënoja në Thumanë japin shenja jete, komunikojnë me forcat speciale

18 / 18
1 / 18
2 / 18
3 / 18
4 / 18
5 / 18
6 / 18
7 / 18
8 / 18
9 / 18
10 / 18
11 / 18
12 / 18
13 / 18
14 / 18
15 / 18
16 / 18
17 / 18
18 / 18
1 / 18
Në Thumanë, ku është dhe zona më dramatike me pasojat më të mëdha, dyshohet që të paktën 7 persona të jenë nën rrënojat e pallateve të shembur. Sipas informacioneve nga terreni, ata kanë dhënë shenja jete pasi ka folur në tentativë për të kërkuar ndihmë. Forcat Speciale që ndodhen në terren janë duke punuar me kujdes të veçantë për të pasur fatin e mirë dhe për të nxjerrë të gjallë personat nën rrënoja. Deri më tani në Thumanë të Fushë-Krujës dy gra u nxorrën të pajeta, të zëna poshtë nga pallati i shembur, ndërsa janë shpëtuar deri më tani 5 persona, të cilët kanë mundur t’ia hedhin, duke dalë gjallë nga rrënojat. Jo vetëm dëme fizike, të gjithë po kalojnë momente të vështira edhe psikologjike në këtë gjendje shoku që ka prekur gjithë vendin pas lëkundjes së fortë sizmike në 03:55 të mëngjesit, 6.4 ballë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se tre emrat nga personat që janë përgjigjur janë, Çimi, Pëllumb dhe zonja me emrin Mira.

Ora 08:41

Bëhen të gjallë dy kosovarët nën rrënojat e ‘Hotel Tropikal’ në Durrës, i dërgojnë mesazhet vëllait të tyre

Dy vëllezërit kosovarë të bllokuar nën rrënojat e hotel “Tropikali” kanë komunikuar me mesazhe më vëllanë e tyre në Kosovë. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se vëllai nga Kosova i ka komunikuar policisë se ka qenë në kontakt me dy vëllezërit e tij para pak minutash. Ata vijojnë të jenë të bllokuar nën rrënoja ndërsa policia vijon përpjekjet për të bërë mundur nxjerrjen e tyre të gjallë.

Ora 08:35

VIDEO – Si u shkatërruan dy super-biznese në Durrës..Një vilë e anuar, dy kolona hoteli të ‘shtypura’

Në qytetin e Durrësit veç banesave e pallateve të dëmtuara, kanë pësuar goditje nga tërmeti edhe disa biznese të rëndësishme në zonën e plazhit. Të tilla janë edhe kjo vilë dhe ky hotel në zonën bregdetare. Vila Verde është anuar totalisht ndërsa hoteli tjetër ka pësuar çarje në pjesën e sipërme që duhet edhe nga zhvendosja e kolonave.

Ora 08:34

Balluku për Report Tv: Një familje me 9 persona nën rrënoja në zonën e Kënetës në Durrës! Qytetarët të mos bllokojnë rrugët me makina

Ministrja e Infrastrukturës dhe të Energjisë, Belinda Balluku në një lidhje telefonike për Report Tv është shprehur se në zonën e Kënetës në Durrës, një familje me origjinë nga Dibra, me mbiemrin Lala, e cila përbëhet nga 9 pjesëtarë, ndodhet nën rrënojat e banesës së tyre që është shembur.

Balluku bën me dije se në këtë zonë janë disa banesa të shembura. Ministrja ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Durrësit që të mos përdorin makinat e tyre, pasi kanë bllokuar rrugën e ambulancave dhe mjeteve të shpëtimit.

” Familja Lala nga Dibra janë nën rrënoja. Në zonën e kënetës në Durrës. Ka patur edhe lajmërime për viktima. Por dua të bëj thirrje. Qyteti i Durrësit është i bllokuar dhe po bllokohen edhe ambulancat. Është e rëndësishme që të gjithë qytetarët e Durrësit të mos përdorin makinat pasi janë bllokuar të gjitha akset e  qytetit. Vështirësi në hyrjen e ambulancave dhe makinave të rënda për të punuar. Është hapur pallati i Sportit për të gjithë personat në nevojë. Zjarrfikëset janë në teren. Në zonën e kënetës ka disa ndërtesa, por tashmë është vetëm familja Lala me 9 anëtarë nën rrënoja. Supozojmë që janë 9 anëtar nën rrënoja pasi është familje me 9 anëtarë.” tha Balluku.

” Aeroporti është funksional. Nuk ka patur dëme. Thjeshtë dëme të vogla. Fluturimet janë normale.” është shprehur më pas ministrja.

“Ata që kalojnë në Tiranë Durrës, Në mbikalimin e Shkozetit është bllokuar nga ARRSH. Po shikohen të gjitha Urat në vend për të shmangur tragjedi. Duhet të ekzaminojmë, ura e mbikalime. Të dukshme dëme nuk ka por duhen kontrolluar. Dëmet më të mëdha janë në Durrës, Thumanë. Kemi reaguar që në momentin e parë dhe shpresojmë të shpëtojmë sa më shumë jetë.” ka përfunduar Balluku.

Ora 08:29

7 persona të bllokuar nën rrënoja në zonën e Kënetës, një fëmijë nxirret i palgosur! (VIDEO)

Një fëmijë është nxjerrë i plagosur nga rrënojat e një pallati në zonën e Kënetës në Durrës ndërkohë që 7 banorë të tjerë vijojnë të mbeten të bllokuar.

Ora 08:26

Policia vijon kërkimet në hotel ‘Mia Mare’ në Durrës, dyshohet për persona të mbetur nën rrënoja (VIDEO)

Policia vijon kërkimet në rrënojat e hotel Mia Mare në Durrës. Gazetari i Report Tv Aldo Kozarja raporton se nën rrënoja mund të ketë persona të dëmtuar nga tërmeti, por ende nuk konfirmohet nëse ka apo jo viktima.

Ora 08:20

Policia apel të rëndësishëm për qytetarët në Durrës

Policia e Shtetit u kërkon gjithë qytetarëve të Durrësit dhe rrethinave të kufizojnë në maksimum lëvizjet me automjetet e tyre, për t’u dhënë mundësi autoriteteve dhe shërbimeve të emergjencave civile të qarkullojnë lirshëm në rrugë, për t’ju ofruar ndihmën e nevojshme banorëve të lënduar nga pasojat e tërmetit të mëngjesit të sotëm.

Ora 08:18

Tre persona përgjigjen nën rrënoja në Thumanë, fiken eskavatorët! Nis heqja e tullave me dorë (VIDEO)

 

Një person sapo është gjetur i gjallë nën rrënoja në një nga pallatet që u shembura në Thumanë. Ky persona ka kërkuar fillimisht ndihmë nga telefoni.

Ndërkohë që dyshohet se nën rrënoja janë edhe dy persona të tjerë. Ata u janë përgjigjur forcave të evakuimit. Kështu eskavatorët janë fikur në mënyrë që të mos krijohen dëme tek personat nën rrënoja.  Të gjitha tullat do të hiqen me dorë një nga një.

Ndërkohë gazetari i Report Tv bën me dije se pas lëkundjet e tërmetit janë të herëpashershme.

Ora 08:17

Nxirren dy trupa të pajetë tek vila Palma në Durrës!

Nxirren dy trupa të pajetë tek vila Palma në Durrës. Shkon në 7 numri i viktimave.

Ora 08:07

Vijojnë kërkimet në Thumanë, dyshohet se ka viktima të tjera nën rrënoja (VIDEO)

Situata në Thumanë vijon të mbetet alamante. Deri më tani janë shënuar dy viktima ndërkohë vijojnë kërkimet e policisë pasi dyshohet se nën rrënojë mund të ketë edhe viktima të tjera.

Ora 08:06

Tërmeti çan murin dhe shemb gurët e Kalasë së Prezës


Tërmeti i fortë që shkundi Shqipërinë orët e para të mëngjesit të sotëm, ka shkaktuar dëme edhe  në Kalanë e Prezës.

Muri i kullës së lartë është çarë, si dhe kanë rënë disa gurë. Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb por lëkundja ka qenë aq e fortë sa kjo kala edhe pse u ka rezistuar viteve, është dëmtuar rëndë.

Ora 08:03

Manastirliu: Po koordinohen të gjitha ekipet e emergjencës, situata është nën kontroll (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nga spitali i Traumës në Tiranë, ka deklaruar se situata për momentin është nën kontroll. Ajo ka shpjeguar se tek spitali i Traumës deri më tani janë trajtuar 135 të lënduar. Në spitalin e Durrësit janë mjekuar 130 persona të cilët kanë marrë lëndime.

Manastirliu është shprehur se të gjitha forcat e ndërhyrjeve emergjente po koordinohen për tu ardhur në ndihmë të gjithë personave të prekura.

“Me shume se 190 thirrje vijnë nga Durrësi 98 misione me ambulanca që janë bërë. Tek Trauma janë 130. 12 shtrime të konfirmuara. Kanë realizuar trajtimet. Në Durrës janë 130 qytetarë. Do të jenë edhe në Durrës. Kanë ardhur edhe 5 të lënduar t tjerë. Në QSUT janë më shumë se 60 raste. Spitalet në Tiranë në Durrës dhe Lezhë janë të përforcuar me staf mjekësor. Po kështu edhe në terren kemi ekipe të emergjencës. Jemi duke trajtuar të gjitha rastet. Situatat është në kontroll deri tani. Janë raste të vështira dhe po ndiqen do të kemi informacione të mëtejshme. Po koordinohemi. Do të shkojmë në Durrës dhe në Thumanë. “ tha Manastirliu.

Ora 07:56

Informacion ne perditesim nga spitalet

Deri tani:
Trauma 135 te lenduar kane marrë trajtim
Ne Spitalin e Durresit 130 te lenduar
Ne QSUT 60 raste
Qendra koordinimit te urgjences ka pritur 392 thirrje jane realizuar 91 misione ne spitale

Ora 07:48

E gjakosur dhe e përlotur, situata dramatike në Thumanë…Vijojnë kërkimet nën rrënoja (FOTO)

11 / 11
1 / 11
2 / 11
3 / 11
4 / 11
5 / 11
6 / 11
7 / 11
8 / 11
9 / 11
10 / 11
11 / 11
1 / 11
Në Thumanë është situata më dramatike. Tre pallate të shembura, nga rrënojat e të cilëve deri më tani janë nxjerrë dy gra të vdekura.

Të tjerë banorë janë nxjerrë të gjallë, siç dëshmohet edhe në këtë foto. Një grua e gjakosur, e lënduar, e përlotur dhe e traumatizuar nga tërmeti, teksa të tjerë i qëndrojnë afër për ta qetësuar. Ndërkohë vijojnë kërkimet nën rrënoja për të gjetur të tjerë persona.

Ora 07:44

Dëmet në Tiranë, pjesa anësore e një pallati pranë Drejtorisë së Policisë u shemb mbi trotuar

Edhe në Tiranë, tërmeti ka shkaktuar dëme të shumta materiale. Një pallat pranë Drejtorisë së Policisë ka pësuar dëme të mëdha. Një pjesë anësore e katiti të dytë është shembur dhe ka rënë në trotuar. Pallati gjendet në rrugën Sami Frashëri shumë pranë Drejtorisë së Policisë. Edhe tek pallatet afër Kthesës së Kamzës është shembur një ballkon. Nga të dy vend ngjarjet fatmirësisht nuk ka persona të dëmtuar.

Ora 07:33

Kamerat e sigurisë fiksojnë momentin e frikshëm, si tundet ‘BENZ’-i parkuar në Lezhë nga tërmeti i fuqishëm (VIDEO)

Kamerat e sigurië në parkimin e një lokali në Lezhë kanë fiksuar momentin e tërmetit të fuqishëm që goditi vendin. Një makinë tip Benz është lëkundur për disa momente si pasojë e tërmetit.

Ora 07:30

Situata e rëndë nga tërmeti, Meta, Basha, Braçe, Lleshaj dhe Xhaçka në Thumanë (VIDEO-FOTO)

Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka mbërritur Thumanë, ku ka pasur dy të vdekur nga tërmeti që ndodhi mëngjesin e ditës së sotme.

“Vendi ynë u godit nga një valë tërmetesh si asnjëherë më parë në errësirën e orëve të para të ditës së sotme! E rëndësishme të punohet me përkushtim e profesionalizëm për të shpëtuar çdo jetë njerëzore që ndodhet nën rrënojat e ndërtesave dhe të ndihmohen të plagosurit. E rëndësishme të evidentohen banorët që s’mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe që kanë nevojë për strehim. Qeveria t’u kërkojë institucioneve ndërkombëtare ndihmë. Besoj se të gjithë qytetarët tanë do dinë ta përballojnë këtë fatkeqësi me solidaritet, kurajo dhe duke i’u gjendur pranë me çdo mënyrë vëllezërve dhe motrave tona më të dëmtuar.”-është shprehur Meta.

Po ashtu, edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, ndodhet në Thumanë, tek pallati që është shembur nga lëkundjet e fortë.

Basha me banorët në Thumanë

Basha është takuar ma banorët që janë dëmtuar më rëndë nga tërmeti. Situatën nga afër e pa edhe zv.kryeministri Erion Braçe, i cili mësohet se do të qëndrojë në këtë zonë për të koordinuar operacionin e kërkim-shpëtimit.

Në Thumanë ndodhet edhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj si dhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila ka informuar Presidentin Meta për situatën.

Ora 07:27

TËRMETI i fuqishëm/ Reagon kryeministri Rama: Ka viktima… Durim, solidaritet, kurajo!

Kryeministri Edi Rama njofton se të gjithë strukturat e shtetit janë në këmbë që në momentin e para pas tërmetit ndërsa po punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në Durrës dhe Thumanë. Ai bën thirrje se duhet ruajtur qetësia për të përballuar këtë goditje.

“Goditja e fuqishme e tërmetit ka krijuar pasoja të rënda dhe fatkeqësisht kemi jetë të humbura. Të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë qysh në momentet e para pas goditjes. Punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në disa pika fatale në Durrës e Thumanë

Eshtë një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë, të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje SE BASHKU”, shkruan Rama.

Ora 07:26

Bie tërmet teksa kërkonin për të mbijetuar, ushtarët dhe banorët ikin me vrap (VIDEO)

Teksa Forcat e Ushtrisë, Emergjencat Civile si dhe banorë po kërkonin në rrënojat e një pallati të shembur, për të mbijetuar, janë ndjerë përsëri lëkundje tërmeti në Thumanë.

Në video duket momenti kur lëkundjet kanë bërë që ata të vrapojnë nga vendi ku po kërkonin.

 

Ora 07:22

Kërkuan ndihmë me celular/ Vëllezërit nga Kosova nën rrënojat e ‘Hotel Tropikal’, policia nis kërkimet me qen (VIDEO)

Dy vëllezër kosovarë janë bllokuar në rrënojat e Hotel Tropikal në Durrës i cili është shembur nga tërmeti i fuqishëm që kanë goditur vendin. Ata kanë tentuar të dalin nga hoteli por janë bllokuar në ambientet e korridorit.

Dy vëllezërit kanë kërkuar fillimisht ndihmë me anë të celularit. Ndërkohë që më vonë i tyre nga Kosova ka arritur të komunikojë me ta me anë të mesazheve duke konfirmuar se ka ende shpresë që të nxirren gjallë nga rrënoja.

Kërkimet e policisë kanë vijuar me qenin nuhatës ndërkohë që misioni i shpëtimit duket mjaft i vështirë.

Nga shembja e Hotel Tropikal janë dëmtuar edhe 7 persona të tjerë të cilët janë dërguar në spital, një prej të cilëve në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ata kanë qenë në katet e sipërm të hotelit.

1574751205_makinate.jpg

Makinat e parkuara jashtë hotelit
Ora 07:20

Nxirret nga rrënojat gjyshja e pajetë, tre të shpëtuar në Thumanë… (VIDEO)

Një e moshuar ndërroi jetë e zënë nën rrënoja teksa nipi i saj u shpëtua. Në Thumanë deri më tani u nxorrën nga rrënojat 3 të gjallë dhe 2 të vdekur. Kërkimet janë bërë në një pallat 5 katësh të  rrëzuar, ndërkohë që janë të dëmtuar ehde pallate të tjerë.

Nxjerrja e trupit te pajete te gjyshes ne Thumane
Nxjerrja gjalle nga rrenojat e nje personi
Ora 07:16

Tërmeti i fuqishëm/ Uji i pusit del në sipërfaqe me vetërrjedhje (VIDEO)

Për shkak të tërmeti puset e ujit në Fushë-Krujë kanë bërë të mundur që uji të dalë nga pusi në sipërfaqe.

Ora 07:12

Tjetër lëkundje tërmeti, 5.4 ballë

Tjetër lëkundje e fortë tërmeti është ndjerë në Tiranë, me magnitudë 5.8. Pas lëkundjes së fortë të orës 03:55 pritet të ketë të tjera lëkundje të njëpasnjëshme, por që IGJEUM u shpreh se goditja kryesore ka kaluar

Ora 07:12

Tërmeti ‘hap në derë’ në një pallat në Durrës (VIDEO-FOTO)

Tërmeti i fuqishëm me epiqendër në Shijak ka shkaktuar dëme të shumta materiale në Durrës. Disa pallate kanë pësuar çarje të shumta. Nga fotot e mbërritura në redasinë e Report Tv, duket se nga dëmet është çarë pallati në përmasat e një dere.

Ora 07:07

Rëndohet bilanci/ Tjetër i vdekur nxirret nga rrënojat në Thumanë

1574748764_cf0678503c9a4e24972f53bc86816170.jpg

Shënohet viktima e dytë në Thumanë, duke e çuar në pesë numrin e të vdekurve si pasojë e tërmetit.

Ora 07:03

Tërmeti dëmton Kalanë 3000 vjeçare të Durrësit

Nga tërmeti i fuqishëm është dëmtuar edhe Kalaja 3000 vjeçare e qytetit të Durrësit.

Ora 07:02

Shënohet viktima e katërt, në Durrës nxirret i pajeti nga rrënojat e pallatit

Është shënuar në Durrës një viktimë, duke e çuar në katër numrin e personave që humbën jetën deri më tani nga tërmeti 6.4 ballë. Viktima është nxjerrë nga rrënojat e një pallati në lagjen numër 18 pranë Kryqit të Kuq.

Ora 06:54

Meta viziton të lënduarit në Spitalin e Traumës: E kam paralajmëruar prej kohësh rrezikun e goditjes së Shqipërisë nga tërmetet (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta ka vizituar të dëmtuarit nga tërmeti në Spitalin e Traumës. Meta ka bërë thirrje që të gjithë ekipet e emergjencës të jenë në gatishmëri në ndihmë të personave që kanë nevojë për ndihmë. Meta tha se e ka paralajmëruar prej kohësh këtë situatë.

“Duket që ka lëndime të jashtëzakonshme. Shpresoj të mos ketë viktima. Ka të plagosur në gjendje të rëndë. Duhet të verifikohen banesat nëse qytetarët kanë nevojë për ndihmë. Kërkohen raportime më të shpejta nga i gjithë vendi. Falënderoj personelin mjekësor që po bën gjithçka për të shërbyer. E gjithë Shqipëria është tronditur rëndë. Duket se edhe është përgjakur por shpresojë të mos ketë viktima të tjera. E kam paralajmëruar prej kohësh rrezikun e goditjes së Shqipërisë nga tërmetet. Të sqarojmë nëse ka apo jo njerëz për ndihmë’, u shpreh Meta.

Ora 06:49

IGJEUM: Goditja kryesore kaloi, por shmangni rrezikun dhe vijoni të qëndroni jashtë

Sipas IGJEUM goditja kryesore ka kaluar. Në zonën epiqendrore qytetarët këshillohen të qëndrojnë jashtë pasi pasgoditjet që përvijojnë mund të shkaktojnë dëmtime të mëtejshme.

Ora 06:48

Veliaj: Kemi hapur disa palestra për strehim provizor. Pezullohen kopshtet dhe çerdhet

Në një kohë që të gjitha grupet e emergjencës janë në terren, Bashkia e Tiranës ka hapur disa palestrave të shkollave për strehim provizor për të gjithë qytetarët. Kryebashkiaku Veliaj njofton se sot pezullohet mësimi në të gjithë shkollat, kopshtet dhe çerdhet, ndërsa do të bëhet edhe verifikimi I këtyre objekteve.

“Sot pezullohet mesimi ne gjithe shkollat, kopshtet e çerdhet e Tiranes! Na duhet te verifikojme çdo objekt e te mos rrezikojme femijet! Faleminderit per mirekuptimin ne nje situate aspak te lehte!  *Disa palestra do te rrine hapur per strehim provizor”, shkruan Veliaj.

Ora 06:38

Tërmet i fuqishëm në Shqipëri, 6.4 ballë (FOTO)

26 / 26
1 / 26
2 / 26
3 / 26
4 / 26
5 / 26
6 / 26
7 / 26
8 / 26
9 / 26
10 / 26
11 / 26
12 / 26
13 / 26
14 / 26
15 / 26
16 / 26
17 / 26
18 / 26
19 / 26
20 / 26
21 / 26
22 / 26
23 / 26
24 / 26
25 / 26
26 / 26
1 / 26
Ora 06:33

TËRMETI i fuqishëm shkund Shqipërinë/ Pezullohet mësimi në të gjitha shkollat

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë njofton se për të gjitha shkollat në Shqipëri do të pezullohet mësimi ditën e sotme si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë.

“Pezullohet mesimi në gjithë territorin e vendit për sot, datë 26 nëntor 2019. Për ditët në vijim ju njoftojmë në fund të ditës”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Arsimit.

Po ashtu, edhe Gjykata e Tiranës ka pezulluar të gjitha seancat.

Ora 06:26

150 persona në spital pas tërmetit (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësië Ogerta Manastrerliu ishte në Spitalin e Traumës për të parë nga afër situatën e të lënduarve që kanë shkuar për mjekim pas lëkundjeve të fuqishme të tërmetit.

Ministrja Manasterliu tha se ekipet mjekësore në gatishmëri.150 persona po marrin trajtim në spital deri më tani, në Tiranë dhe në Durrës dhe Krujë.

Ministrja e Shendetesise dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu nga Spitalii Universitar i Traumës tha se po marrin shërbim 75 qytetarë, kryesisht me fraktura në gjymtyrë si pasojë e tërmetit të fortë që tronditi vendin.

Nē të gjithë vendin, në Tiranë, Durrës dhe Krujë, sipas të dhënave paraprake 150 qytetarë po marrin shërbim në spitale.

Ekipet mjekësore aktualisht është në gjendje gatishmërie të plotë si në Tiranë, Durrës dhe gjithë Shqipërinë.

Ora 06:22

Situata dramatike në Thumanë përmes FOTOVE dhe VIDEO

9 / 9
1 / 9
2 / 9
3 / 9
4 / 9
5 / 9
6 / 9
7 / 9
8 / 9
9 / 9
1 / 9
Në Thumanë është situata më dramatike nga lëkundjet e njëpasnjëshme të tërmetit që prekën Shqipërinë, ku më i fuqishmi ishte 6.4 ballë.

Në Thumanë për fat të keq dyshohet të ketë përsona nënë rrënoja, pasi janë shembur tre pallate. Fëmijë, të moshuar, gra e vajza, janë zënë nënë rrënoja teksa kanë qenë në gjumë dhe nuk e kanë ndjerë tërmetin e rënë në orën 03:55 të mëngjesit të së martës.

Ora 06:19

TËRMETI/ 2 viktima në Kurbin, njëri hidhet nga ballkoni nga frika, tjetrin përplaset me makinë

Të tjera pasoja tragjike nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë. Në Kurbin janë shënuar dy viktima. Njëri është hedhur nga ballkoni nga frika e tërmetit. Ndërsa një tjetër ka vdekur pasi ka humbur drejtimin e automjetit dhe është përplasur duke gjetur vdekjen.

Ora 06:10

Edhe Durrësi me dëme të mëdha materiale…Forcat e Armatosura dhe Speciale për kërkimet nën rrënoja (VIDEO)

Qyteti i Durrësit ka dëmë të mëdha materiale, dhe njëjtë si Thumana, ka shembje të pallateve ku po bëhën kërkime nën rrënoja. Pallati tek lagjjja numër 18 pranë Kryqit të Kuq, është shembur thuajse totalisht. Në Thumanë e Durrës janë nisur 300 efektivë të Forcave të Armatosura  ku raportohen dëmet më të mëdha. Mes efektivëve janë edhe Forcat Speciale.

Në Durrës ka shkuar më herët edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe kryeministri Edi Rama, ndërsa kryeministri Erjon Braçe është nisur drejt Thumanës.

Ora 06:05

Tërmeti i fuqishëm/ Mbani afër fëmijët dhe të moshuarit…Telefononi për çdo problem në nurmin 112

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka bërë të ditur se ekipet e emergjencës janë në terren ndërsa u bën thirrje të qytetarëve të telefonojnë në numrin 112 për çdo problem.

Veliaj kërkon prej qytetarëve që të zbatojnë me kujdes udhëzimet në rast tërmeti. “Tërmeti i fortë pranë Adriatikut preku gjithë Tiranën. Ekipet e emergjencës janë në terren! Telefononi 112 per çdo nevojë emergjente. Zbatoni pa panik udhezimet ne rast termeti! Mbani afer femijet e te moshuarit!” thekson Veliaj.

Ora 05:55

TRAGJIKE në Thumanë, gjyshja e pajetë nën rrënoja, nipi nxirret gjallë në prehrin e saj (VIDEO)

Fatkeqësisht tërmeti i fuqishëm që lëkundi Shqipërinë në orën 3.55 të mëngjesit të sotëm ka shënuar viktimën e parë në Thumanë të Fushë-Krujës. Një skenë tragjike, përlotëse dhe rrëqethëse. Një gjsyëh ka humbur jetën e zënë nën rrënoja nga shembja e një pallati, ndërsa në prehërin e saj mbante nipin. I vogli është nxjerrë gjallë nga të afërm dhe forcat zjarrfikëse. Nga raportimet nga terreni, thuhet se mund të bëhet fjalë për rreth 10 persona që mund të jenë nën rrënoja në godinat e shembura në Thumanë. Nuk dihet ende situata.

Ata kanë qenë në gjumë dhe nuk kanë mundur të ngrihen në kohë për t’i shpëtuar tërmetit duke u zënë nën rrënoja. Situata më problematike paraqitet pikërisht në këto tre pallate në zonën e Thumanës.

1574743926_thumane.jpg

Ora 05:43

Situatë TRAGJIKE në Thumanë, 3 pallate të shembura, njerëz nën rrënoja

Situata më e rëndë nga tërmeti, veç qytetit të Durrësit, paraqitet në Thumanë të Fushë-Krujës. Nga raportimet e para, të cilat duhet theksuar se janë ende kontradiktore dhe jo të konfirmuara nga organet zyrtare, raportohet të jenë shembur 3 pallate. Dyshimet janë që nën rrënojë të ketë edhe persona të lënduar, ndërsa flitet edhe për viktima, por ende jo zyrtare. Forcat zjarrfikëse dhe policia janë në vendngjarje për të bërë të mundur shpëtimin e personave që mund të jenë nën rrënoja.

Ora 05:34

FOTOT – Dëmet nga tërmeti në Tiranë dhe Durrës…Mure të rënë nga lartësitë…Në Lushnje çahet asfalti

Lëkundjet e njëpasnjëshme sizmike që tronditën Shqipërinë në orët e para të mëngjesit, kanë shkaktuar deri nga raportimet e para, dëme të shumta materiale. Në Durrës janë shembur disa godina dhe restorante të njohura, ndërsa në Lushnje është çarë edhe asfalti.

Foto nga Durrësi

Foto nga dëmet në qytetin e Lushnjes

Ora 05:31

Tërmeti në Tiranë/ I riu bie nga kati i tretë në zonën e ish-bllokut

Një i ri raportohet të ketë rënë nga kati i tretë në zonën e ish-bllokut. I riu është marrë me ambulancë dhe është shoqëruar për në spital ndërsa ende nuk ak të dhënë për gjendjen e tij shëndetësore.

Ora 05:28

Ministrja e Mbrojtjes me urgjencë drejt Durrësit

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka do të niset drejt Durrësit pas lekundjeve të njëpasnjeshme të orës së fundit.

Sipas të dhënave paraprake lëkundja e orës 3.50 ishte me magnitude 6.4 e shkallës rihter.

“Ministrja Xhacka dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile jane ne kontakt te vazhdueshem me prefekturat, vecanerisht me ate te Durresit per situaten”, thuhet në një njoftim nga zyra e shtypit të ministrisë.

Ora 05:21

E gjithë Tirana në rrugë….Panik nga tërmeti që shkundi Shqipërinë (VIDEO)

Thuajse e gjithë Tirana ka dalë në rrugë nga paniku i përhapur pas tërmetit të fuqishëm 6.4 ballë që shkundi Shqipërinë.

Shqiptarja.com sjell disa nga këto momente ku njerëzit kanë dalë në rrugë, e disa të tjerë janë larguar me makina nga qyteti në drejtim të zonave me banesa përdhese.

Ora 05:18

Dëme të mëdha në Thumanë, dëmtohet edhe nënstacioni elektrike në Fushë-Krujë

Në fshatin Zhejë të Kurbinit një banesë është shembur duke u kthyer në të pabanueshme.

Bëhet fjalë për banesën e Fran Ndrecë Pirolit. Ndërkohë, tërmeti ka dëmtuar edhe nënstacionin elektrik që ndodhet në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, i cili furnizon me energji gjysmën e rrethit.

Në Thumane rapotohet për tre pallate që kanë pësuar dëmtime të mëdha.

Ora 05:14

VIDEO- Dëme të shumta në Durrës, shembet restoranti i njohur – Fotot nga rrënojat

Në lagjen numër 13 në qytetin e Durrësit është shembur totalisht restoranti i njohur Mira Mare, i cili është edhe hotel 4 katësh.

 

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*