Nga Agron Brataj
Kur demokracia kthehet në fasadë: Rasti i Vlorës dhe hija e diktaturës moderne
Ngjarja e sotme në Këshillin Bashkiak të Vlorës nuk është thjesht një incident administrativ. Ajo hedh dritë mbi një fenomen më të gjerë dhe më shqetësues, rrënimin e besimit publik në demokracinë përfaqësuese dhe kthimin e saj në një fasadë politike, të kontrolluar nga një “diktaturë moderne” me emër dhe flamur demokratik.
Përjashtimi i qytetarëve nga vendimmarrja reale është bërë normë. Dorëheqja e një kryetari bashkie të zgjedhur me votë, e cila në vetvete lë vend për shumë pikëpyetje, pasohet menjëherë nga një proces i kontestuar për pasuesin e tij.
Opozita ngre alarmin për mungesë gare, mungesë transparence dhe, mbi të gjitha, mungesë respekti për ligjin dhe procedurat, të cilat janë themelet e çdo sistemi demokratik.
Kur emrat vendosen paraprakisht në kartonë, kur votimi nuk është i fshehtë, kur debatet e ligjshme injorohen dhe kur çdo kundërshti etiketohet si pengesë për “funksionimin e sistemit”, nuk kemi më të bëjmë me demokraci.
Kemi të bëjmë me një teatër politik, ku skenari shkruhet më parë, aktorët janë të njëjtët dhe publiku (qytetarët) nuk kanë asnjë ndikim real në fundin e shfaqjes.
Kjo nuk është thjesht një shkelje e rregullave është një zhbërje e vullnetit qytetar, një përmbysje e parimeve mbi të cilat ndërtohet legjitimiteti i çdo institucioni.
Edhe zgjedhjet e reja, që parashikohen të mbahen për kryetarin e ri të bashkisë, ngelen të dyshimta nëse nuk garantohet një terren realisht i lirë dhe i barabartë politik.
Në këtë klimë, nuk është çudi që qytetarët humbasin besimin, e ndihen të braktisur dhe të manipuluar. Sepse ndryshe nga çfarë pretendohet, nuk janë zgjedhjet ato që e bëjnë një sistem demokratik por mënyra se si respektohet rezultati, si menaxhohet pushteti, dhe si përfshihen qytetarët realisht në vendimmarrje.
Në fund, vota nuk duhet të jetë një procedurë për të larë duart me popullin por një kontratë që pushteti ka me qytetarët. Dhe nëse kjo kontratë shkilet, gjithçka tjetër është thjesht lojë politike