NGA  AGRON BRATAJ

Prej dy ditësh, grupi i ngritur nga Bashkia e Vlorës për verifikimin e rrugëve dhe projekteve të infrastrukturës është përqendruar në Tragjas, ku janë inspektuar dy rrugë të rikonstruktuara së fundmi. Ajo që është konstatuar gjatë kontrollit është shqetësuese, investimi rezulton me një sërë shkeljesh dhe mangësish serioze.

Problemet variojnë nga mungesa e trotuareve dhe asfalti i vendosur në mënyrë joprofesionale, deri te gropat e pambyllura për shtyllat e ndriçimit dhe kanalizimet e papërfunduara të ujërave. Madje edhe vetë mënyra e asfaltimit është cilësuar si e bërë në mënyrë të përshpejtuar, pa respektuar standardet  një proces i përshkruar si “shkel e shko”.

Gjatë kontrollit janë evidentuar problematika në pjesën më të madhe të segmentit të punuar. Firma zbatuese është justifikuar me mungesën e dakordësisë me banorët e zonës, ndërsa përfaqësuesit e bashkisë janë shprehur se firma duhej të kishte treguar më shumë seriozitet dhe profesionalizëm  duke kaluar fajësinë nga njëri te tjetri, pa ofruar përgjegjësi konkrete.

Kjo situatë ngre disa pyetje thelbësore që kërkojnë përgjigje të qarta nga Bashkia e Vlorës:

A është marrë zyrtarisht në dorëzim ky investim nga bashkia?

Nëse po, si ka qenë e mundur që të pranohet një rrugë me kaq shumë probleme, pa një kontroll rigoroz nga sektori i urbanistikës dhe infrastrukturës?

A do të ketë penalitete apo gjoba për firmën zbatuese?

Nëse duam që rastet si ky të mos përsëriten, është e domosdoshme që bashkia të marrë masa konkrete dhe të mos lejojë më që firmat të përfitojnë fonde publike për të bërë punë të papërgjegjshme, duke lënë pas gjysmë-punë dhe cilësi të dobët.

Ky nuk është një rast i izoluar: e kemi parë më parë edhe me firmën që la përgjysmë Galerinë e Arteve, apo me projekte të tjera ku tenderi merret nga një firmë, e më pas nënkontraktohet në mënyrë jo transparente, duke ulur cilësinë në çdo hallkë të zinxhirit.

Përgjegjësia institucionale dhe ndëshkimi i shkelësve duhet të jenë normë, jo përjashtim.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*