Romano Floriani Mussolini pati një debutim të paharrueshëm në Serie A me fanellën e Cremoneses. Fillimisht asistoi për golin e anuluar të Okerekes, më pas fitoi penalltinë vendimtare që i dha ekipit të tij fitoren ndaj Sassuolos.

Deri më tani, Romano ishte përfolur më shumë për mbiemrin e tij sesa për paraqitjet në fushë, pavarësisht sezonit të mirë me Juve Stabian që bindi Cremonensen ta huazonte nga Lazio me të drejtë blerjeje. Por këtë herë, ai foli me lojën e tij.

“Për mua mbiemri nuk ka qenë kurrë problem. Unë mendoj vetëm për fushën. Ky mbiemër është i rëndë për të tjerët, jo për mua,” kishte deklaruar më herët mbrojtësi.
Romano, djali i ish-senatores Alessandra Mussolini dhe stërnipi i Benito Mussolinit, i lindur në vitin 2003, u fut në lojë në minutën e 83-të në vend të Zerbin. Vetëm një minutë më vonë, në kontaktin e parë me topin, kaloi Candé-n dhe i dha një pasim të artë Okerekes, i cili shënoi, por goli u anulua për një faull të lehtë të Romanos ndaj mbrojtësit.

Megjithatë, i riu nuk u ndikua nga ky episod. Në minutën e dytë të shtesës, fitoi penalltinë që u kthye në golin e fitores për Cremonesen dhe përkohësisht, në vendin e parë në renditje.
Kanë ndodhur shumë gjëra në pak kohë dhe këtë mbrëmje nuk do ta harroj kurrë. Debutimi në Serie A ka qenë gjithmonë një ëndërr për mua, tha ai pas ndeshjes.

Trajneri më kërkoi të shfrytëzoja hapësirat pas mbrojtjes së Sassuolos. Qëllimi im ishte të bëja diferencën dhe jam i lumtur që ia dola. Për golin e anuluar kisha një dyshim se mund të ishte faull dhe për fat të keq arbitri e konfirmoi, por jam i kënaqur që në fund gjithçka përfundoi siç duhet, përfundoi Romano.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*