Nga Agron Brataj

Thuhet se treni i fatit kalon vetëm një herë në jetë. Nuk e kemi fjalën për trenin e udhëtarëve, që kalon çdo orë e çdo ditë, por për atë tren të veçantë që sjell mundësinë, shansin, ndryshimin. Por në këtë vend tonin, treni i fatit duket se kalon shumë herë për të njëjtët njerëz, për arrogantët e pushtetit, për ata që shesin çdo gjë për një copë pushtet, për servilët që përkulen e shiten ditë pas dite.

U drejtohem atyre që e luftojnë pushtetin jo për parim, por për interesin e dikujt që i sponsorizon. Ata që, kur nuk arrijnë qëllimin e tyre, bëhen palë me të njëjtin pushtet që dje e mallkuan. U drejtohem edhe atyre që përdorin armën e pushtetit kundër kujtdo që guxon të mendojë ndryshe, edhe pse ai pushtet u ka shërbyer mijëra herë më parë.

Drejtësia, në këtë realitet të kalbur që kemi ndërtuar vetë, do të vijë një ditë. Do të vonojë, por nuk do të mungojë. E shkruaj këtë me vetëdije se fjala e lirë sot rrezikohet. Se çdo fjalë mund të fotografohet, të interpretohet dhe të dërgohet “lart”, te ata që mendojnë se pushteti është i përjetshëm. Por edhe po të mos e shkruaj, ju, “krimbat e vegjël”, prapë do ta bëni atë që dini më mirë,do ta hani këtë shoqëri pak e nga pak, çdo ditë, derisa ta shkatërroni.

Ju e keni zhdukur rininë nga ky vend, e keni vjedhur të ardhmen e tij. Por nëse drejtësia nuk do të vijë për ju, atëherë një ditë do të vijë ndëshkimi  ndoshta jo nga ligji, por nga jeta vetë. Sepse Vlora, ky qytet i mrekullueshëm dhe kjo tokë e bekuar, nuk do të mposhten kurrë nga ju. Jo nga krimbat e pushtetit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*