Konsumatorët në të gjithë botën po përballen me çmime më të larta për një shumëllojshmëri artikujsh të përditshëm, për shkak të problemeve në zinxhirin e furnizimit për të gjitha llojet e mallrave dhe rritjes së çmimit të energjisë, në nivele që nuk janë parë prej vite.

Kjo do të thotë që konsumatorët në të gjithë botën po paguajnë më shumë për artikuj ushqimorë, veshje pajisje elektro-shtëpiake si dhe për blerje makinash e shtëpi. Ata që po e ndjejnë më shumë këtë situatë janë familjet me të ardhura të ulëta, të ardhurat e kufizuara të të cilëve mbulojnë më pak në raport me nevojat që ata kanë.

Pyetja që shtrohet nga shumë ekonomistë është nëse kjo rritje e çmimeve do të jetë diçka “kalimtare”, siç thonë prej disa muajsh zyrtarë të lartë amerikanë, apo është fillimi i një periudhe rritjeje më të qëndrueshme të çmimeve, në nivele më të larta sesa kanë ndeshur prej dekadash shumica e ekonomive kryesore të botës.

Në dëshminë para Kongresit javën e kaluar, Kryetari i Bankës Qendrore Amerikane Jerome Powell tha se problemet “zhgënjyese” me zinxhirin e furnizimit global që kanë ardhur si pasojë e dhënies fund të bllokimeve të vendosura për shkak të pandemisë, janë bërë shkak për rritjen e inflacionit dhe qëndrimin në këto parametra për një periudhë më gjatë sesa kishte parashikuar ai dhe drejtuesit e bankave të tjera qendrore. Por ai tha se ishte i sigurt se përfundimisht këto çështje do të merrnin zgjidhje.

 

 

“Rritja aktuale e inflacionit është në të vërtetë pasojë e kufizimeve në zinxhirin e furnizimit që po përballet me një kërkesë shumë të madhe, dhe kjo është e gjitha e lidhur me rihapjen e ekonomisë, një proces që do të ketë një fillim, një mes dhe një fund”, tha zoti Powell. “Por këto çështje do të zgjidhen. Por është shumë e vështirë të thuash se sa i madh do të jetë ndikimi i tyre ose se për sa kohë do të zgjasë”.