OPINION

Nga Agron Brataj

Kur opinioni shndërrohet në gjyq, dhe politika në arenë interesi

Në Shqipëri prej vitesh ka marrë formë një realitet i hidhur, formësimi i opinionit publik nuk ndodh më përmes fakteve, por përmes llafeve të tregut të ekranit. Analistë të paguar, që shfaqen natë për natë në studio televizive, nuk e kanë më mision të informojnë publikun, por të mbrojnë interesat e atij që u paguan faturën.

Dhe kështu krijohet më lehtë se kurrë gjyqi publik pa prova, pa dosje, pa të dhëna. Mjafton një fjali, një fantazi e shitur si lajm, dhe opinioni fillon të marrë formë si ortek.

Ky realitet nuk prek vetëm njerëz të zakonshëm. Edhe figura të larta politike gjenden shpesh nën këtë tryezë zjarri, ku shpesh dënohen më parë në ekran dhe më pas në kokat e njerëzve.

Askush nuk dëshiron të përfundojë në qendër të kësaj stuhie, sepse në momentin kur një akuzë merr vëmendje mediatike, fatura politike dhe personale është pothuajse e pashmangshme,  nëse më pas e vërteta del krejt ndryshe.

Në politikën shqiptare, miqtë dhe armiqtë ndërrohen me shpejtësinë e tenderave që qarkullojnë. Sot duartrokasin, nesër hapin shampanjën kur një koleg bie në shënjestër.

Askush nuk mendon se radhën mund ta ketë nesër vetë, se goditja mediatike është po aq e pamëshirshme sa rrotullimi i pushtetit. Të gjithë e dinë se në pozicione të larta vendimmarrja është gjithnjë relative, shpesh kolektive, shpesh e kushtëzuar, por pak kush ka vullnetin ta pranojë këtë kur atmosfera mbushet me entuziazmin e rrëzimit të tjetrit.

Kështu krijohet një ekosistem i sëmurë: një politikë ku askush nuk është realisht i mbrojtur dhe një media ku opinioni shitet si fakt. Dhe në këtë arenë, drejtësia, transparenca dhe e vërteta shpesh mbeten spektatorë, jo aktorë.

Shqipëria meriton më shumë: një media që pyet para se të akuzojë, një publik që gjykon mbi prova e jo mbi emocione, dhe një klasë politike që nuk gëzohet me rrëzimin e tjetrit, sepse di shumë mirë se çdo goditje e padrejtë nesër mund të trokasë në derën e vet.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*