Nga Agron Brataj

Pas sulmit të fundit ajror të urdhëruar nga Presidenti amerikan Donald Trump ndaj tre impianteve bërthamore në Iran,
Shtetet e Bashkuara përballen me një rrezik të shtuar për sulme të mundshme hakmarrëse nga ana e Teheranit. Sipas një dokumenti të klasifikuar të bërë publik nga emisioni amerikan NewsNation, shefi i Agjencisë Federale për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufijve, Rodney Scott, paralajmëron se rreziku për akte sabotazhi ose terrorizmi të brendshëm “nuk ka qenë kurrë më i lartë”.
Frika më e madhe vjen nga mundësia e aktivizimit të “qelizave të fjetura” iraniane në territorin amerikan individë ose grupe të lidhura me regjimin e Teheranit, të cilët mund të kenë hyrë në SHBA përmes kanaleve të paligjshme. Sipas të njëjtit raport, një numër i paidentifikuar i qytetarëve iranianë janë përpjekur të hyjnë ilegalisht në SHBA, dhe disa prej tyre mund të kenë arritur të shmangin kontrollet kufitare.
Kërcënimi i Teheranit është bërë edhe më konkret gjatë samitit të fundit të G7-s në Kanada. NBC News ka raportuar se një mesazh i drejtpërdrejtë kërcënues iu përcoll administratës amerikane përmes një ndërmjetësi diplomatik iranian: në rast se Shtetet e Bashkuara do të godisnin territorin iranian, përgjigjja do të vinte përmes qelizave të infiltruar brenda SHBA-ve.
Mesazhi iu drejtua personalisht Trumpit dhe, sipas burimeve të brendshme, ka ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit të alarmit në të gjithë vendin.
Departamenti Amerikan për Sigurinë e Brendshme ka konfirmuar se vendi ndodhet në një “situatë kërcënimi të lartë”, duke nxitur autoritetet lokale dhe federale të jenë në gadishmëri të plotë. Në qytetet kryesore si New York dhe Washington D.C., është rritur dukshëm prania e forcave të rendit në zonat strategjike.
Gjithashtu, komandanti i Komandës Qendrore të Forcave të Armatosura të SHBA, gjenerali Frank McKenzie, ka ngritur shqetësimin për sigurinë e trupave amerikane në Lindjen e Mesme: “Forcat tona në Irak dhe Siri janë padyshim të ekspozuara ndaj një sulmi të drejtpërdrejtë hakmarrës nga Irani”.
Situata mbetet tepër e tensionuar, ndërsa autoritetet amerikane janë në kërkim të çdo indikacioni që mund të sinjalizojë një atentat të mundshëm brenda apo jashtë kufijve të vendit.




