Nga Agron Brataj  

Dhe ja ku jemi sërish. Si çdo fillim sezoni turistik, përsëritet i njëjti skenar  fillon një fushatë sistematike shpifjesh dhe sulmesh ndaj imazhit të Vlorës.

Sulme të mirëorganizuara, shpesh të përhapura nga individë të caktuar që, me gjasë, janë të shtyrë nga qëllime të errëta, ndoshta politike, ndoshta personale  por gjithmonë në dëm të qytetit tonë.

Askush nuk flet për bukurinë mahnitëse të Vlorës. Askush nuk përmend traditat e saj të pasura, mikpritjen e sinqertë, përkushtimin maksimal të banorëve të saj për t’i ofruar vizitorëve gjithçka që kanë më të mirë. Askush nuk e vlerëson përpjekjen e përditshme të qytetarëve të ndershëm që duan t’i japin Vlorës atë vend që meriton në hartën turistike ndërkombëtare.

Po flasim për një qytet që vetëm pak vite më parë përmendej kryesisht për problemet e tij: mungesë infrastrukture, sistem ujesjellësi të amortizuar, mbetje urbane që nuk menaxhoheshin siç duhej. Por sot gjërat kanë ndryshuar. Impiantet e reja të ujësjellësit janë në proces përfundimi, dhe për herë të parë pas dekadash është ndërtuar  një sistem modern për menaxhimin e mbetjeve në zonën e Sherishtes. Këto janë investime konkrete, jo premtime boshe.

Fatkeqësisht, rrjetet sociale janë kthyer në një mjet të ulët për të hedhur baltë, për të përhapur urrejtje e fyerje ndaj vlonjatëve.

Komente të neveritshme të tipit: “Mirë t’ju bëhet”, “Vetë i votuat, vetë vuani”, tregojnë vetëm një gjë: kompleksin e thellë dhe ziliqarinë te  disa individëve që nuk durojnë dot suksesin e të tjerëve. E sidomos, suksesin e Vlorës.

Nëse dikur Vlora priste emigrantët dhe dasmat verore të djemve të diasporës, sot pret turistë nga e gjithë bota. Po, Vlora sot është realitet turistik ndërkombëtar.

Po, Vlora sot ka rrugë të reja, qendra moderne, dhjetëra hotele e resorte të standardeve të larta. Kushdo që dëshiron të shohë ndryshimin, mjafton të kthejë kokën pas dhe të krahasojë Vlorën e para vitit 2013 me atë të sotmen.

                                     

Dhe në këtë mes, ka një të vërtetë që nuk duhet harruar: të gjitha qytetet shqiptare kanë problemet e tyre. Por askush nuk nxitohet t’i djegë imazhin qytetit të vet, siç ndodh për Vlorën. Pse? Sepse Vlora shkëlqen. Dhe drita, siç dihet, tërheq hije.

Për të gjithë ata “njerëz të vegjël” që duan të shajnë, të denigrojnë dhe të sabotojnë, kam vetëm një mesazh: nuk e njollosni dot Vlorën time. Sepse ajo është më e madhe se ligësia juaj, më e fortë se zilia juaj. Sepse Vlora nuk është thjesht një qytet  është krenari, është frymë, është shpresë.

Vlora nuk ka nevojë të justifikohet. ajo flet vetë me detin e kristaltë, me malin që zbret deri në breg, me historinë që të shikon nga çdo cep, me aromën e mikpritjes që nuk gjendet askund tjetër.

Këtu nuk është fjala për të mbyllur sytë para problemeve përkundrazi. Vlonjatët i dinë mirë sfidat e qytetit të tyre, por nuk i përdorin ato për ta përulur, por për ta ngritur. Ata nuk rrinë të shajnë nëpër komente, por punojnë, investojnë, mirpresin dhe ecin përpara. Ata e duan qytetin e tyre jo vetëm për atë që është, por edhe për atë që do të bëhet.

Vlorës, sot, nuk i duhet më as mëshira, as toleranca e rreme e atyre që duan ta shohin të zhytur. I duhet vetëm një gjë: respekti. Dhe respekti fillon nga ne vetja  duke folur mirë për shtëpinë tonë, duke mos e shitur për pak klikime, dhe duke mos e përdorur për të zgjidhur hesapet tona të vogla.

Sepse Vlora është e madhe. Më e madhe se inatet tona.
Më e bukur se çdo urrejtje.
Më e fortë se çdo shpifje.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*