Nga: Agron Brataj

Pushteti si Borxh: Mjaft me Luftën për Karrige!
Ata që nuk i votuan shqiptarët, tani kërkojnë t’u jepet një zyrë sikur shteti ua ka borxh.
Zgjedhjet e 11 majit përfunduan. Votat u numëruan, rezultatet dolën, dhe vendi u kthye – të paktën në dukje në normalitet institucional. Por, për shumë kandidatë të partive, veçanërisht ata që nuk arritën të fitojnë një vend në parlament, beteja sapo ka filluar.
Jo më për të bindur qytetarët, por për të bindur partinë. Jo më për të fituar me votë, por për të marrë me influencë. Sepse duket se kemi hyrë në një fazë ku çdo humbës në vota kërkon të kompensohet me një karrige, si drejtor, këshilltar apo shef sektori. Lufta për një post drejtues është bërë më e ashpër se fushata.
Arroganca e dështimit që kërkon shpërblim
A thua se e meritonin një vend në Kuvend? A thua se janë kaq të pazëvendësueshëm sa shteti nuk bën dot pa ta? A thua se kontributi në një fushatë është automatikisht çelës për një pozicion publik?
Jo. Por ata e besojnë fort. Dhe këtë bindje ua ka dhënë vetë kultura politike që kemi ndërtuar: një sistem ku dështimi nuk ndëshkohet, por shpërblehet. Një sistem ku servilizmi ndaj partisë vlen më shumë se vota e qytetarit.
Kemi ndërtuar një realitet të sëmurë, ku administrata publike trajtohet si një bankë kompensimesh për humbësit e zgjedhjeve, dhe jo si një strukturë që duhet të përfaqësojë qytetarin, shërbimin dhe meritokracinë.
Populli nuk është borxhli i askujt
Askush nuk i ka borxh një post politik askujt. As partia, e aq më pak qytetari. Ata që sot kërkojnë zyra, makina dhe poste drejtimi, nuk janë as më të zotët, as më të ndershmit. Janë thjesht më të lidhurit. Më të zhurmshmit. Dhe shpesh, më të rrezikshmit për administratën.
Në vend që të tërhiqen për pak reflektim pas humbjes, shumë prej tyre kanë nxjerrë thonjtë e presionit, duke trokitur dyer, duke telefonuar emra, duke u sjellë si të ishin heronj lufte e jo humbës votash. Ky është abuzim i pastër me kuptimin e demokracisë. Dhe për qytetarin, është një ofendim.
Ka plot njerëz të aftë që nuk kanë mik
Ka me mijëra profesionistë, të rinj të shkolluar, njerëz me eksperiencë dhe integritet, që nuk kanë një “krah” politik, por kanë vlera reale. Ata nuk kërkojnë favore. Nuk bëjnë presion. Nuk trokasin për kolltuqe. Por nuk i merr kush parasysh. Sepse vendet janë zënë nga një elitë politike që e konsideron shtetin si pronë të vetën dhe çdo post si pronë trashëgimie.
Koha për një reflektim të dhimbshëm
Nëse Shqipëria do të bëhet ndonjëherë një shtet normal, duhet të heqim dorë nga kultura e “kompensimit” politik me poste shtetërore. Askush nuk duhet të shpërblehet për dështimin. Askush nuk duhet të zërë poste drejtuese vetëm sepse “ka dhënë kontribut në parti”. Kontributi për partinë nuk është kredencial profesional.
Shteti nuk ka borxh për askënd. Në fakt, shumë prej këtyre të ashtuquajturve “kontribuues” i kanë borxh shtetit dhe qytetarëve për kohën, paratë, mundësitë që kanë marrë padrejtësisht.
Në fund të ditës, Shqipërinë nuk e mbajnë gjallë ata që bëjnë presion për zyra, por ata që punojnë ndershëm çdo ditë pa kërkuar asgjë mbrapsht , veçse një shtet që funksionon.




