Nga Agron Brataj

Tensionet e brendshme në radhët e Partisë Socialiste duket se kanë kapërcyer ceremonitë festive dhe janë zhvendosur në terren.
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur këtë të enjte paradite në Bashkinë e Vlorës, ku zhvilloi një takim me kryebashkiakun Ermal Dredha, stafin e institucionit si dhe deputetët dhe ish-deputetët e qarkut.
Sipas burimeve, në fokus të takimit të sotëm janë pasur disa nga problematikat më shqetësuese për qytetarët e Vlorës: furnizimi me ujë të pijshëm, gjendja e kanalizimeve dhe menaxhimi i mbetjeve urbane. Të tre këto çështje janë rikthyer në vëmendje pas incidentit të ndodhur disa javë më parë, kur një zjarr masiv përfshiu fushën e mbetjeve në periferi të qytetit, duke shkaktuar ndotje të madhe dhe shqetësim publik.
Kryeministri u shfaq në ambientet e bashkisë me bllok në dorë, i vendosur të marrë vetë në dorë situatën dhe të kërkojë llogari për punët e lëna pas dore. Pamjet e publikuara tregojnë një atmosferë formale, me Ramën që u prit nga Dredha, teksa zhvilluan një bisedë të gjatë përpara mbledhjes me strukturat lokale.
Vizita e sotme tregon se Rama është i vendosur të forcojë kontrollin dhe performancën e pushtetit vendor, sidomos në bashkitë kyçe si Vlora, ku sfidat e qeverisjes janë bërë të dukshme dhe presioni nga qytetarët është në rritje.
Në pritje të deklaratave zyrtare pas takimit, mbetet për t’u parë nëse kjo ndërhyrje direkte do të sjellë ndryshime konkrete në administrimin e qytetit bregdetar apo do të shërbejë si paralajmërim për të tjerët në rradhët e Partisë Socialiste.




