Nga Agron Brataj

Gjatë një vizite të papritur, por mjaft të drejtpërdrejtë në Vlorë, kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherazi Kryeministër i vendit, Edi Rama, ka komunikuar emrat e rinj që do të marrin drejtimin e kësaj force politike në nivel lokal.
Klevis Kaso është emëruar kryetar i PS për Vlorën, ndërsa Eriona Ismaili do të jetë bashkëkryetare, në një formulë bashkëdrejtimi që synon një frymë të re bashkëpunimi dhe koordinimi më të ngushtë me bazën.
Emrat janë bërë publikë gjatë takimeve të zhvilluara në selinë e Bashkisë së Vlorës, ku Kryeministri mbajti një fjalim me tone të ashpra në adresë të administratës vendore.
Kjo lëvizje vjen në kuadër të një procesi ristrukturimi të Partisë Socialiste në territor, dhe shihet si një përpjekje për të rivitalizuar veprimtarinë politike në Vlorë pas një periudhe me performancë të diskutueshme nga drejtuesit lokalë.
Dy drejtuesit e rinj do të kenë përgjegjësi të ndara sipas rajoneve dhe janë ngarkuar nga vetë kryetari Rama që të evidentojnë dhe raportojnë drejtpërdrejt për çdo problematikë të hasur në terren qoftë në administratë, qoftë në marrëdhëniet me qytetarët apo me strukturat e PS-së.




