Nga Agron Brataj

“Porti i Vlorës ‘vluan’ nga lëvizjet: Tragete të mbushur, policia në gadishmëri dhe rikthimi i dy legjendave të parodisë”

Porti i Vlorës ka përjetuar sot një fluks të shtuar pasagjerësh dhe automjetesh, në kuadër të rritjes së lëvizjeve gjatë sezonit turistik veror. Trageti i parë ka mbërritur në orën 07:00 të mëngjesit, duke transportuar 450 pasagjerë, 98 automjete dhe 26 kamionë. Pas zbarkimit dhe procedurave të përpunimit kufitar, nga porti janë larguar 350 pasagjerë dhe 85 automjete, si dhe 6 autobusë e kamperë.

Ndërkohë, në orën 17:00 pritet të mbërrijë trageti i dytë i ditës, i kompanisë “Star Lines”, i cili mban në bord 542 pasagjerë dhe 122 automjete. Ky fluks pritet të sjellë një tjetër valë lëvizjeje në dalje dhe hyrje të portit.

Policia Kufitare është në gatishmëri të plotë për të menaxhuar situatën dhe për të garantuar që përpunimi i udhëtarëve dhe mjeteve të ndodhë pa vonesa. Drejtori i Kufirit, z. Bledi Jaho, është shprehur se janë marrë të gjitha masat për të përballuar me sukses sezonin veror.

“Jemi të organizuar në mënyrë që çdo pasagjer të kalojë procedurat kufitare në kohë sa më të shkurtër dhe pa vonesa. Personeli është i plotësuar dhe i trajnuar për t’i shërbyer qytetarëve në mënyrë profesionale dhe efikase,” deklaroi Jaho për mediat.

Porti i Vlorës, një nga pikat kyçe hyrëse për turistët dhe bashkatdhetarët që kthehen për pushime, po përjeton një rritje të ndjeshme të volumit të punës, duke reflektuar rritjen e interesit për Shqipërinë si destinacion turistik. Strukturat përkatëse janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar një sezon veror të sigurt dhe të suksesshëm.

Në mesin e pasagjerëve që udhëtojnë sot nga Porti i Vlorës, pas një kohe të gjatë mungese, ndodhen edhe dy emra të njohur të skenës së humorit vlonjat  Agron Hamo dhe Afrim Agalliu, të cilët njihen si legjenda të parodisë shqiptare. Rikthimi i tyre në lëvizje nga porti është përshëndetur me simpati nga qytetarët dhe udhëtarët që nuk kanë nguruar të kërkojnë një foto apo një batutë nga artistët që kanë bërë historinë e humorit vlonjat.

Prania e tyre i shton edhe më shumë shpirtin veror atmosferës në qytetin bregdetar, që këto ditë është në kulmin e mikpritjes për turistë dhe bashkatdhetarë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*