Dhërmi, Himarë
Një rast flagrant ndotjeje e mjedisit detar është goditur nga Policia Kufitare në plazhin e Dhërmiut, ku një mjet lundrues u kap në flagrancë duke hedhur mbeturina në det dhe duke qëndruar jashtë zonës së lejuar për mjetet e tilla, pranë perimetrit të sigurisë ujore për pushuesit.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Dhërmiut, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, pas njoftimit të marrë nga qytetarët për ndotje të ujërave detare, ndërhynë menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas lokalizimit të mjetit lundrues, rezultoi se ai ishte pronë e një subjekti tregtar, i cili u ndëshkua me një masë administrative prej 100 000 lekësh, bazuar në nenin 24/c të ligjit nr. 43/2020, që ndalon zhvillimin e aktiviteteve jashtë zonave të përcaktuara për mjetet lundruese.
Ndërkohë, për drejtuesin e mjetit, shtetasin G. I., 25 vjeç, nisi procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Ndotja e ujërave”, pasi gjatë pastrimit të mjetit kishte hedhur mbeturina në det, në kundërshtim me normat mjedisore dhe detare.
Policia Kufitare thekson rëndësinë e respektimit të perimetrit të sigurisë ujore, sidomos gjatë sezonit turistik, për të mbrojtur pushuesit dhe për të ruajtur mjedisin detar nga ndotja dhe veprimet e papërgjegjshme.
Apel për qytetarët
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese që të veprojnë me përgjegjësi, duke respektuar rregulloret për sigurinë ujore dhe duke shmangur ndotjen e detit. Çdo shkelje apo rast i dyshuar mund të denoncohet në numrin 112, ku garantohen ndërhyrje të menjëhershme dhe masa ligjore të rrepta.

albaniatimes.al




