Nga Agron Brataj

Në çdo kohë, e sidomos kohët e fundit, fokusi i shoqërisë sonë duket se është përqendruar vetëm te VIP-at, drejtorët, kryetarët, politikanët, ata që, në fund të fundit, jetën, ekonominë, mirëqenien dhe të ardhmen e familjeve të tyre i kanë ndërtuar përmes partisë dhe mundësive që ajo u ka ofruar. Fatkeqësisht, në këtë zhurmë të madhe harrojmë të shohim ata njerëz që jetojnë mes nesh me kokën ulur, pa zhurmë, por me dinjitet dhe përkushtim të pashoq.

Po flasim për një figurë të veçantë, që meriton më shumë se duartrokitje po flasim për Sabin, sanitaren.

Sabi e nisi rrugëtimin e saj të punës që në moshën 14-vjeçare, në ndërmarrjen frutore të Vlorës, dhe që nga ajo ditë e deri sot, nuk ka reshtur asnjëherë së punuari.

Me përkushtim, me ndershmëri dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie, ajo është ngritur çdo mëngjes në orët e para, kur qyteti ende fle, për të filluar punën e saj fisnike pastrimin dhe kujdesin për zyrat e institucioneve, në mënyrë që kur të hapen dyert, ato të ndriçojnë dhe të reflektojnë pastërti e respekt.

Sabi është një prej atyre grave të heshtura që e nderon qytetin e Vlorës. E rriti vajzën e saj me sakrifica të mëdha, e shkolluan me mund e djersë, duke bërë atë që shumica ndoshta as nuk do të guxonin ta provonin. Me një shpirt të madh, me bujari dhe një karakter të fortë, ajo është modeli i gruas shqiptare që nuk dorëzohet përballë asnjë vështirësie.

Unë e njoh personalisht Sabin dhe mund ta them me bindje të plotë: është një grua me zemër të madhe, me dinjitet të rrallë dhe me një ndjenjë njerëzore që e tejkalon çdo titull apo pozicion.

Respekte pa fund për ty, zonjë e nderuar. Respekt për çdo mëngjes të ftohtë, për çdo orë të lodhshme, për çdo ditë që e ke kaluar në heshtje, por me nder. Ti je një nga ato figura që shoqëria duhet të respektojë dhe të vendosë në piedestal jo sepse ke pasur pushtet, por sepse ke pasur zemër.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*