Alarmi i plastikës. Mbi një mijë miliardë euro dëme shëndetësore çdo vit.
Plastika po vret njerëzimin dhe planetin,një krizë globale e shpërfillur
Një studim i ri alarmues i publikuar në revistën shkencore prestigjioze The Lancet tregon se plastika nuk është vetëm një kërcënim për mjedisin,nga majat e Everestit deri në thellësitë e oqeaneve por edhe për shëndetin e njeriut.
Studiuesit paralajmërojnë për një “krizë globale të plastikës” që po dëmton shëndetin nga fëmijëria e deri në pleqëri dhe po shkakton mbi 1 mijë miliardë euro dëme shëndetësore çdo vit.
Vetëm 10% e plastikës riciklohet
Me mbi 8 miliardë tonë mbetje plastike të grumbulluara në planet dhe me parashikime që prodhimi i saj të trefishohet deri në vitin 2060, kriza është gjithnjë e më e rëndë.
Vetëm 10% e kësaj sasie riciklohet realisht, ndërsa 57% digjet në natyrë, duke shkaktuar ndotje ajrore të rrezikshme, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.
Nga fëmiria deri në pleqëri plastika sjell sëmundje dhe vdekje 
Sipas raportit, mikroplastikat dhe nanoplastikat hyjnë në trupin e njeriut përmes ushqimit, ujit dhe ajrit të ndotur. Janë gjetur gjurmë të tyre në indet dhe lëngjet trupore. Ato lidhen me pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë
rrezik të rritur për abort spontan dhe lindje të parakohshme,
defekte kongjenitale,
zhvillim të dëmtuar të mushkërive te fëmijët,
kancer tek fëmijët,
probleme me fertilitetin në moshë madhore.
Profesor Philip Landrigan, pediatër dhe epidemiolog në Boston College dhe autor kryesor i raportit, deklaron.
Pasojat bien më rëndë mbi popullsitë më të ndjeshme foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
Shëndeti i tyre po sakrifikohet për llogari të përfitimeve afatshkurtra ekonomike.
Është detyrë e jona të veprojmë.
Zgjedhje globale në një udhëkryq
Publikimi i studimit vjen në prag të raundit të gjashtë dhe ndoshta të fundit të negociatave ndërkombëtare për një traktat global që do të kufizojë prodhimin e plastikës.
Mbi 100 shtete mbështesin vendosjen e një limiti ligjor, por përballen me kundërshtimin e vendeve prodhuese të naftës si Arabia Saudite.
Studiuesit kritikojnë mungesën e transparencës mbi përbërjen kimike të plastikës dhe ndikimin toksik të shumë substancave të saj, që shfaqen në të gjitha fazat e jetës.
Plastika dhe sëmundjet infektive
Sipas raportit, mbetjet plastike krijojnë mjedise të përshtatshme për rritjen e mushkonjave dhe mikroorganizmave duke kontribuar në përhapjen e sëmundjeve dhe rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve.
Nuk mund të nënvlerësojmë krizën e plastikës”, theksojnë autorët.
Ashtu si ndryshimet klimatike, plastika po shkakton sëmundje, vdekje dhe paaftësi në dhjetëra mijëra njerëz çdo vit dhe situata vetëm do të përkeqësohet.
Një ‘Countdown’ për shëndetin dhe plastikën
Revista The Lancet ka nisur gjithashtu projektin e ri të quajtur “Countdown on Health and Plastics”, i cili do të ndjekë ndikimin e plastikës mbi shëndetin njerëzor përmes një sërë treguesish shkencorë.
Raporti i parë pritet në mesin e vitit 2026 dhe synon të japë të dhëna konkrete për të ndihmuar politikëbërësit të marrin masa.
Ky raport i jep një zë të fuqishëm një krize që ka qenë për shumë kohë e shpërfillur.
A është koha për të vepruar tani para se të jetë tepër vonë?




