Nga Agron Brataj

Më datë 14 gusht 2025, rreth orës 11:15, Zyra e Shërbimit 24-orësh e Kapitenerisë së Portit Vlorë mori një njoftim përmes radios VHF në kanalin 12 nga anija e peshkimit MATTEO & MELISSA, me flamur shqiptar dhe me katër persona ekuipazh. Anija ndodhej në perëndim të ishullit të Sazanit duke ushtruar aktivitetin e peshkimit, kur një prej anëtarëve të ekuipazhit shfaqi probleme shëndetësore.

Në orën 11:17, Kapiteneria njoftoi Qendrën Kombëtare të Urgjencës në numrin 127, duke kërkuar ndihmën e menjëhershme të një ambulance.

Anija MATTEO & MELISSA mbërriti në portin e Vlorës në orën 11:27 dhe u akostua në kalatën veriore të rezervuar për anijet turistike. Vetëm pak minuta më vonë, në orën 11:30, në afërsi të anijes mbërriti ambulanca e Qendrës Kombëtare të Urgjencës, ku ekipet mjekësore i ofruan ndihmën e parë të sëmurit. Sipas raportimeve paraprake, pacienti kishte simptoma të mpirjes së dorës dhe këmbës së djathtë, si dhe tension të lartë të gjakut.

Në orën 11:55, i sëmuri u transportua me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ekzaminime të mëtejshme dhe trajtim të specializuar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*