Çfarë duhet të bëjmë nëse ndodhemi në një zonë ku ka zjarr dhe jemi të izoluar?

1. Ruani qetësinë dhe vlerësoni rrezikun
Panikun duhet ta mbani nën kontroll. Shikoni rreth e qark për të kuptuar drejtimin nga vjen flaka dhe tymi, si po fryn era dhe cilat janë rrugët më të sigurta për t’u larguar.
Mos humbni kohë me gjëra të parëndësishme  përqendrohuni te siguria juaj dhe e familjes.

2. Lëvizni drejt zonës më të sigurt
Nëse mundeni, largohuni në drejtim të kundërt të erës, flakëve dhe tymit.
Shmangni ngjitjet lart në kodra kur tymi është i dendur, ngjiteni atë vetëm nëse është e vetmja rrugë shpëtimi dhe nuk ka flakë në afërsi.


Zgjidhni vende të hapura, larg bimësisë së dendur, si fusha të zhveshura, rrugë me asfalt, përrenj apo lumenj.

3. Nëse nuk ka rrugëdalje

Kërkoni një zonë pa bimësi ose tokë të djegur tashmë.

Uluni pranë tokës, ku ajri është më i freskët dhe tymi më i hollë ose më pak i përqendruar.

Mbuloni hundën dhe gojën me një pëlhurë të lagur për të filtruar grimcat e tymit, pasi ato dëmtojnë mushkëritë.

Mos u fshihni në automjete të mbyllura nëse zjarri është shumë afër, ato mund të mbinxehen shpejt dhe rrezikoni jetën nga temperatura e lartë.

4. Komunikoni dhe kërkoni ndihmë
Telefononi 127 për urgjencë mjekësore ose 112 për të raportuar zjarrin dhe pozicionin tuaj.
Përdorni GPS ose dërgoni lokacionin nga telefoni te familjarët apo shokët, në mënyrë që ata t’ju ndihmojnë të gjendeni më lehtë. Ata mund të kontaktojnë gjithashtu 127 ose 112.

5. Kujdesi pasi keni dalë nga situata
Edhe nëse nuk keni pësuar djegie, ekspozimi ndaj tymit mund të dëmtojë mushkëritë.
Kërkoni kontroll mjekësor sapo të jeni në një zonë të sigurt.

Jeta është prioritet absolut. Në zjarr, çdo sekondë ka rëndësi

Ruani qetësinë, merrni vendime të shpejta dhe kërkoni ndihmë menjëherë.


 Dr. Skënder Brataj

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*