Një atentat mafioz ka tronditur qytetin e Shkodrës mëngjesin e së hënës, duke lënë dy persona të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur. Ngjarja ndodhi në një lokal në qendër të qytetit, ku një person i armatosur ka hapur zjarr ndaj disa personave të pranishëm.

Të vrarë mbetën Armando Pali, ish-këshilltar bashkiak dhe ish-punonjës i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), si dhe Liridon Kraja, shoqërues i një tjetër të pranishmi në lokal, Eugen Vaso (i njohur edhe si Eugen Brajoviç).

Sipas burimeve të para hetimore, dyshohet se shënjestra e atentatit ka qenë pikërisht Eugen Vaso, i cili ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin rajonal të Shkodrës. Gjatë të shtënave është plagosur gjithashtu dhe kamerierja e lokalit, e cila ndodhej pranë vendit të ngjarjes.

Eugen Vaso është vëllai i Denis Brajoviç, një emër i njohur për drejtësinë, i cili u ekstradua pak muaj më parë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Brajoviç është autor i vrasjes së Gjon Boriçit në gusht të vitit 2020, dhe emri i tij u përmend në përgjimet e operacionit “Metamorfoza”, ku pas krimit komunikonte me figurat e njohura të botës së krimit, Ervis Martinaj dhe Behar Bajri.

Arrestimi i autorit

Autori i dyshuar i këtij atentati është identifikuar si Rakip Gilla. Ai është arrestuar nga forcat e rendit në zonën e njohur si Zalli i Kirit, disa kilometra larg vendit të krimit.

Pas krimit, Gilla u largua nga vendngjarja me një automjet tip BMW, por rrugës bëri një aksident me një makinë tjetër, duke tërhequr vëmendjen e policisë. Një detaj që e bëri të dyshimtë për kalimtarët dhe uniformat blu ishte se autori mbante ende skafandër në kokë gjatë arratisë.

Pas një ndjekjeje intensive, ai braktisi makinën pranë lumit Kir dhe u përpoq të largohej në këmbë me armën në dorë. Policia rrethoi zonën dhe, pas një presioni të shkurtër, Gilla vendosi të dorëzohej.

Hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit dhe motivet që qëndrojnë pas këtij akti të rëndë kriminal janë në vijim.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*