Nga Agron Brataj

Para disa ditësh, kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, dha dorëheqjen. Arsyet zyrtarisht nuk u bënë të ditura. Mund të kenë qenë personale, politike, ose pasojë e presioneve nga lart. Por për qytetarët, arsyet janë të qarta: rrugë të shqyera, mungesë sinjalistike, pasiguri në qarkullim, ujësjellës problematik, zjarre të përsëritura në fushën e mbetjeve, papastërti në qytet dhe një administrim që nuk solli ndryshimin e premtuar.

Në vend të një reflektimi të thellë institucional, u kalua menjëherë në zgjedhjen e kryetarit të ri. Procesi u shoqërua me tensione në Këshillin Bashkiak, përplasje politike dhe akuza për shkelje të procedurave ligjore. Sipas opozitës, votimi nuk ishte i fshehtë  siç e kërkon ligji  dhe kandidati ishte i paracaktuar. Nuk mungoi as simbolika: kartoni me emrin e kryetarit të ri ishte vendosur paraprakisht para vendit ku ai do ulej, para se të votohej. Thjesht për të plotësuar një skenar që ishte shkruar më herët.

Kështu në krye të Bashkisë erdhi inxhinieri Elis Halili. Nga një inxhinier, qytetarët prisnin rregullim rrugësh, zgjidhje konkrete për problemet teknike të qytetit, ndërhyrje në infrastrukturë dhe fund të projekteve të lëna përgjysmë. Aq më tepër kur një pjesë e rrugëve të dëmtuara janë për shkak të firmës ku vetë ai ka punuar  ose ende punon  dhe që ende nuk ka vendosur sinjalistikën e duhur nëpër rrugët e shkatërruara.

Por çfarë ndodhi në ditën e parë të mandatit? Në grupin e WhatsApp-it që Bashkia mban me gazetarët, erdhi një njoftim, në orën 09:30, kryetari i ri do të niste pastrimin e plazhit të Zvernecit, për përcjellje mesazhesh ndërgjegjësimi.

Qesharake. Në një qytet të mbushur me pluhur, gropa, mbetje urbane, kanale të bllokuara dhe krizë infrastrukturore, kreu i Bashkisë vendos të bëjë pastrim plazhi  një aksion që zakonisht e kryejnë vetë subjektet private që menaxhojnë zonën bregdetare.

Zverneci është simbolik. Por simbolika nuk mjafton më. Vlora ka nevojë për punë, jo për foto dhe slogane. Ka nevojë për plan konkret, për përfundimin e projekteve të lëna në mes, për sinjalistikë rrugore, për pastrimin e mbetjeve, për menaxhim të ujësjellësit dhe mbi të gjitha, për zë qytetari në vendimmarrje jo miq të emëruar në tavolina të mbyllura politike.

Nuk e zgjodhi populli kryetarin e ri. E zgjodhën miqtë e partisë. Ndaj është e drejtë e popullit të kërkojë llogari, që në ditën e parë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*