
Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) ka nisur manovrat vjetore për të praktikuar mbrojtjen e territorit të Aleancës në një skenar që përfshin edhe elementë të lidhur me armët bërthamore.
Rreth 2.000 pjesëtarë të forcave do të marrin pjesë në stërvitjet e quajtura “Steadfast Noon”, të cilat do të zhvillohen gjatë dy javëve të ardhshme, njoftoi aleanca më 13 tetor në nisje të manovrave. Sipas njoftimit, rreth 70 avionë do të angazhohen në operacione, përfshirë edhe avionë luftarakë gjermanë të pajisur për të transportuar bombat bërthamore amerikane të stacionuara në Evropë.
Manovrat pritet të zhvillohen kryesisht në hapësirën ajrore mbi Detin e Veriut. Baza ajrore holandeze në Volkel dhe bazat ushtarake në Kleine Brogel (Belgjikë), Lakenheath (Angli) dhe Skrydstrup (Danimarkë) pritet të luajnë role të rëndësishme në stërvitje. NATO njoftoi se Forcat e Armatosura Gjermane kanë ofruar tre avionë Tornado, të aftë për misione me bombat bërthamore B61, dhe katër Eurofighter për qëllime stërvitore.
Aleanca thekson se këto manovra janë rutina dhe nuk përbëjnë një përgjigje direkte ndaj ndonjë incidenteje të fundit në hapësirat ajrore apo provokimeve nga Rusia. Megjithatë, stërvitjet synojnë edhe dërgimin e një sinjali të qartë se NATO është e përgatitur për mbrojtje, përfshirë edhe mjetet e fundit të shkallës bërthamore, në rast të nevojës. Sipas njoftimeve të NATO-s, këto stërvitje janë të rëndësishme për të siguruar që parandalimi bërthamor të mbetet i besueshëm dhe efektiv.
Prinicipi i ndarjes bërthamore (nuclear sharing) shpjegon edhe pjesëmarrjen e vendeve që vetë nuk zotërojnë armë bërthamore: në një rast emergjent, bombat B61 amerikane të stacionuara në Europë mund të transportohen dhe të hidhen nga avionët e vendeve partnere. Vendndodhja e saktë e depozitave bërthamore në Evropë nuk është publike; megjithatë, raportime të ndryshme kanë përmendur vende si Italia veriore, Belgjika, Holanda dhe Gjermania si lokacione të mundshme.
NATO nuk ka zbuluar detaje operative për skenarët konkretë që do të praktikohen gjatë manovrave. Ekspertët ushtarakë shpjegojnë se stërvitjet rutinore, që zhvillohen tradicionalisht në tetor, përfshijnë procedura për transportin e sigurt të armëve nga magazinat e mbrojtura nën tokë te avionët dhe montimin e tyre nën krahun e avionëve. Për qëllime stërvitore përdoren vetëm bombat e simuluara — pa kokat bërthamore reale.




