Peruxhia, Itali.

 Një tragjedi ka tronditur komunitetin e Fabrianos dhe qytetin e Peruxhias pas vrasjes brutale të një të riu 23-vjeçar, Hekuran Cumani, me origjinë shqiptare, por i lindur dhe rritur në Itali. Trupi i pajetë i të riut u gjet në orët e para të mëngjesit të së shtunës, në parkimin pranë fakultetit të matematikës në zonën universitare të Peruxhias.

Hekurani, banues në Fabriano, një qytet në provincën e Ankonës, ndodhej në Peruxhia së bashku me disa miq për të kaluar një mbrëmje në zonën e njohur për jetën e saj të natës. Ai nuk ishte student në këtë universitet, por ndodhej në qytet për arsye shoqërore.

Sipas informacioneve paraprake të hetuesve, ngjarja e rëndë është pasojë e një sherri mes dy grupeve të të rinjve, që dyshohet të ketë nisur për motive të parëndësishme. Pas një mbrëmjeje në disa lokale të zonës, grupi i Hekuranit është përplasur me një tjetër grup, gjithashtu i përbërë nga të rinj me origjinë të huaj. Konflikti ka përfunduar me një goditje të vetme me thikë në kraharor, që i mori jetën 23-vjeçarit në vendngjarje.

Forcat e rendit dhe ambulanca kanë mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes, por mjekët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për të shpëtuar jetën e të riut. Policia shkencore, prokurori i çështjes dhe mjeku ligjor ishin gjithashtu të pranishëm në vendin e krimit, ku janë gjetur gjurmë të shumta gjaku.

Fakulteti i Matematikës është mbyllur përkohësisht, ndërsa hetimet janë në vijim. Prokuroria e Peruxhias po e trajton çështjen si vrasje me dashje dhe, sipas burimeve të agjencisë ANSA, ngjarja nuk ka lidhje me botën universitare apo atë të drogës.

Hekuran Cumani nuk kishte precedentë penalë dhe nuk ishte i njohur nga forcat e rendit. Ai ishte i integruar mirë në komunitetin e Fabrianos, ku njihej si një djalë i qetë dhe i dashur nga të gjithë. Lajmi i vrasjes së tij ka shkaktuar një trishtim të thellë në qytetin me rreth 29 mijë banorë, ku ai kishte shumë miq dhe një jetë të rregullt me familjen.

Hetimet vazhdojnë për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur plotësisht motivet që çuan në këtë krim të rëndë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*