Përgatiti Agron Brataj
Situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar pas një sërë ngjarjesh të reja që kanë ndodhur në 24 orët e fundit. Ushtria izraelite (IDF) ka njoftuar se gjatë një operacioni të njësisë antiterroriste “Yamam” në fshatin Kafr Qud, pranë Jeninit në Bregun Perëndimor, janë vrarë tre militantë palestinezë. Sipas policisë izraelite, forcat speciale vepruan mbi bazën e informacionit të shërbimit të inteligjencës “Shin Bet” për të parandaluar një sulm të planifikuar. Pas shkëmbimit të zjarrit, avionët izraelitë bombarduan zonën ku ndodheshin militantët, duke synuar një shpellë që dyshohej se përdorej nga grupi i armatosur.
Ndërkohë, mediat izraelite raportojnë se Hamas mund të ketë inskenuar dorëzimin e trupit të një pengu. Sipas Channel 12 dhe Army Radio, militantët dyshohet se kanë simuluar gjetjen e trupit përpara se ta dorëzonin tek Kryqi i Kuq. IDF ende nuk ka komentuar zyrtarisht mbi këto akuza. Trupi është dërguar në Institutin Forensik të Abu Kabir në Tel Aviv për identifikim.
Në planin diplomatik, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, deklaroi se Izraeli nuk do të pranojë praninë e trupave turke në kuadër të një force ndërkombëtare stabilizimi në Gaza, si pjesë e planit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për pasluftën në territorin palestinez.
Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri të ditur se “më shumë se 16.500 palestinezë kanë nevojë urgjente të largohen nga Gaza për trajtim mjekësor”. Ai tha se vetëm dje janë evakuuar 55 pacientë kritikë drejt Jordanisë, Spanjës dhe Turqisë, ndërsa kërkoi që më shumë vende të hapin korridore mjekësore për të shpëtuar jetë.
Në një intervistë , kardinali Pierbattista Pizzaballa, patriarku latin i Jerusalemit, theksoi se e ardhmja e Gazës nuk mund të vendoset nga liderët që e shkatërruan atë. “Rindërtimi i vërtetë do të vijë nga njerëzit e thjeshtë, vullnetarët që do të rrokullisin gurët dhe do të ringjallin jetën civile dhe njerëzore që lufta e ka rrënuar”, u shpreh ai.
Tensionet mbeten të larta në të gjithë rajonin, teksa në Knesset po diskutohet propozimi për dënimin me vdekje të të akuzuarve për terrorizëm, ndërsa raportimet për përplasje të reja në kufirin me Libanin dhe në Bregun Perëndimor e bëjnë gjithnjë e më të paqartë perspektivën e një armëpushimi të qëndrueshëm.





