Pesë persona janë vënë në pranga në kuadër të hetimeve për vjedhjen e bujshme në Muzeun e Luvrit të Parisit, ngjarje e ndodhur 11 ditë më parë, njoftoi prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, në një intervistë për radion RTL.

Sipas Beccuau, mes të arrestuarve ndodhet njëri prej personave më të kërkuar nga hetuesit, i identifikuar përmes gjurmëve të ADN-së që e lidhin drejtpërdrejt me grabitjen. “Ishte një nga objektivat tanë kryesorë  e kishim në shënjestër prej ditësh”, tha ajo.

Pesë arrestimet e reja janë kryer në Paris dhe në zonën Seine-Saint-Denis, periferia ku jetonin edhe dy personat e ndaluar fundjavën e kaluar, tashmë të hetuar zyrtarisht. Hetuesit dyshojnë se i arrestuari kryesor ishte një nga dy personat që drejtonin skuterët e fuqishëm të përdorur gjatë grabitjes.

Sipas të përditshmes Le Parisien, ky person ishte identifikuar më herët, por nuk ishte arritur të lokalizohej. Pikërisht gjatë ndjekjes së tij policia ka ndaluar edhe katër persona të tjerë, të cilët  sipas prokurores Beccuau  “mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes”.

Megjithë arrestimet, bizhuteritë e vjedhura, me një vlerë të vlerësuar rreth 88 milionë euro, ende nuk janë gjetur. Hetimet vijojnë intensivisht nën drejtimin e prokurorisë franceze.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*