Nga Agron Brataj


Kushdo që sot do të ishte në pozicionin e Belinda Ballukut do të përballej pashmangshëm me një gjyq publik. Jo vetëm nga opozita, por edhe nga brenda vetë mazhorancës. Kjo ndodh jo domosdoshmërisht sepse çdo vendimmarrje është e gabuar, por sepse sistemi ynë prodhon konflikt, dyshim dhe akuza të vazhdueshme, sidomos në sektorët ku qarkullojnë miliona euro përmes tenderave publikë.

Problemi kryesor nuk është një individ i vetëm, por mënyra si funksionon sistemi i prokurimeve në Shqipëri. Janë me qindra kompani të regjistruara me NIPT, të cilat në aktet e themelimit kanë një listë të pafund aktivitetesh. Një subjekt që në praktikë është një librari, në dokumente rezulton i aftë të marrë pjesë edhe në tendera për goma, materiale ndërtimi apo shërbime të tjera krejt të ndryshme nga aktiviteti real.

Kjo krijon terren për manipulim. Në shumë raste, kompani që hyjnë formalisht në garë nuk synojnë realisht fitoren. Ato shërbejnë si “pjesëmarrës teknikë”, për të plotësuar numrin, ose për të ushtruar presion mbi ofertuesin kryesor. Në momentin që njëra shpallet fituese, nis pazari: tërheqje nga gara,        Ku kërkon një përqindje në lek dhe tëriqet, ankesa të tërhequra, ose marrëveshje të heshtura që i hapin rrugë fituesit të dytë. Shembujt mund të duken banalë, por janë thelbësorë për të kuptuar mekanizmin.

Në këtë realitet, pozicioni i ministrit është më i ekspozuari. Aty ku kalojnë tendera me vlerë të lartë, çdo humbës kthehet automatikisht në akuzues. Fillon narrativa e njohur: “u favorizua ky”, “u dha ryshfet aq”, “fituesi ishte i paracaktuar”. Ironikisht, shumë prej atyre që akuzojnë sot janë të njëjtët që dje tentuan të negociojnë, dhe nesër përgatisin artikullin për media sapo kuptojnë se nuk do të fitojnë.
Prandaj, debati publik shpesh fokusohet te emrat dhe jo te sistemi. Ndërsa pa një reformë reale në mënyrën e regjistrimit të kompanive, kufizimin e aktiviteteve, dhe transparencën reale të tenderave, historia do të përsëritet. Sot është një ministër në qendër të akuzave, nesër do të jetë një tjetër. Sistemi mbetet i njëjtë, vetëm emrat ndryshojnë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*