Nga Agron Brataj

Një blerje e realizuar së fundmi nga Ndërmarrja e Gjelbërimit ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën e shpenzimit të fondeve publike. Bëhet fjalë për një kamion 20 tonësh, me katër akse, i cili sipas dokumentacionit është blerë për rreth 85 milionë lekë të vjetra.

Sipas specialistëve të fushës dhe çmimeve të tregut, një mjet i tillë, me specifikimet që paraqet, nuk mund të kapërcejë vlerën prej 15 milionë lekësh të vjetra. Kamioni në fjalë rezulton të jetë i pajisur me botë të thjeshtë “xingato”, si dhe me një lavazh frontal të improvizuar, elementë që nuk justifikojnë në asnjë mënyrë vlerën e paguar.

Burime pranë sektorit të mjeteve të rënda bëjnë me dije se pajisje të tilla kanë një kosto minimale shtesë dhe nuk përbëjnë teknologji apo pajisje të specializuara që do të rrisnin ndjeshëm çmimin final të mjetit.

Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është fakti se, pavarësisht shumës së konsiderueshme të paguar, kamioni nuk është vënë ende në punë, duke mos i shërbyer funksionit për të cilin është blerë dhe duke sjellë një tjetër barrë financiare për buxhetin publik.

Në kushtet kur transparenca dhe eficienca në përdorimin e fondeve publike janë thelbësore, kjo blerje kërkon sqarime të plota nga drejtuesit e Ndërmarrjes së Gjelbërimit, si dhe verifikim nga institucionet përgjegjëse, për të garantuar se paratë e qytetarëve janë shpenzuar në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me ligjin.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*