Pergatiti Agron Brataj

Reshjet e dendura të ditëve të fundit në ishullin Hormuz, në jug të Iranit, kanë krijuar një fenomen të rrallë dhe spektakolar që ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, turistëve dhe fotografëve: përgjatë bregut, deti është ngjyrosur përkohësisht me të kuqe.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë rrëke uji që zbresin nga shkëmbinjtë dhe derdhen në det, duke transportuar sedimente minerale që i japin vijës bregdetare nuanca të forta të kuqe dhe kremizi.

Ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me natyrën e veçantë gjeologjike të ishullit. Toka e Hormuzit është e pasur me oksid hekuri, një mineral që u jep shkëmbinjve dhe rërës ngjyrën karakteristike të kuqe. Kur reshjet janë të forta, këto materiale shpërbëhen dhe përhapen në ujë, duke krijuar efektin vizual të pazakontë.

Ishulli ndodhet në një nga kalimet detare më strategjike në botë, ngushticën që lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit, dhe shpesh quhet “Ishulli i Ylberit” për shkak të shumëllojshmërisë së jashtëzakonshme të ngjyrave të shkëmbinjve të tij.

Nga pikëpamja klimatike, rajoni karakterizohet nga një klimë e thatë dhe gjysmë-shkretinore, me reshje zakonisht të pakta, por që herë pas here përqendrohen në episode të shkurtra dhe intensive, veçanërisht gjatë muajve më të lagësht. Pikërisht kjo ndërthurje mes tokave të pasura me minerale dhe reshjeve të papritura bën të mundur këtë spektakël natyror, i cili përsëritet periodikisht.

Sipas ekspertëve, fenomeni nuk përbën rrezik për mjedisin: sapo reshjet pushojnë, sedimentet depozitohen dhe deti gradualisht rikthen ngjyrën e tij natyrore.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*