
Të lësh një qytet bregdetar turistik pa ujë për 24, madje deri në 48 orë, nuk mund të quhet thjesht papërgjegjshmëri. Kjo është shumë më tepër se kaq. Sa më shumë kalon koha, aq më qartë kuptojmë se kemi të bëjmë me paaftësi të thellë në menaxhim.
Ndërkohë, prej vitesh na thuhet se janë investuar miliarda lekë çdo vit. Çdo vit shqyhen rrugët, hapen kanale që nuk mbyllen siç duhet, duke dëmtuar makinat e qytetarëve, dhe askush nuk mban përgjegjësi. Investimet përmenden, por rezultatet mungojnë.
Rikujtojmë se për këto punime janë paguar miliarda lekë, gjoja për cilësinë më të mirë të mundshme. Në realitet, tubot e vendosura rezultojnë të jenë materiale të dobëta, madje të skaduara, që nuk përballojnë as presionin normal të ujit.
Vlora po shkon drejt 30 orësh pa ujë. Problemi kryesor është se këto tuba nuk e mbajnë presionin e lartë që vendoset nga Ujësjellësi, edhe pse justifikimi është se projekti qenka realizuar nga inxhinierë gjermanë. Në praktikë, defekti mbetet: mungojnë edhe elementët bazë, si bulonat që duhet të mbajnë lidhjet të sigurta.
Të nderuar qytetarë, nuk ka më justifikime. Ky është realiteti i hidhur: një ujësjellës i menaxhuar me paaftësi, që e ka lënë qytetin në mëshirë të fatit, pa ujë, në kulmin e sezonit.




