Agron Brataj

Prej disa ditësh, Kryeministri Edi Rama po e shfrytëzon maksimalisht në rrjetet sociale një ftesë nga Presidenti Donald Trump, duke e paraqitur atë si një triumf të madh personal dhe si “fitore historike” për Shqipërinë në kuadër të bordit për paqen dhe rindërtimin e Gazës. Por përtej postimeve emocionale dhe vetëlavdëruese në Facebook, lind nevoja për një analizë të ftohtë dhe realiste: a kemi të bëjmë vërtet me një sukses diplomatik të jashtëzakonshëm, apo thjesht me një tjetër episod propagandistik për konsum të brendshëm?
Së pari, është e rëndësishme të theksohet se mbështetja për paqen dhe rindërtimin e Gazës nuk është në diskutim. Personalisht, si shumë shqiptarë të tjerë, jam 100% pro çdo iniciative që synon paqen, ndihmën humanitare dhe rindërtimin e një territori të shkatërruar nga lufta. Por mbështetja për paqen nuk do të thotë verbëri ndaj manipulimit politik dhe as pranimi i një hamëndesie të rreme mbi marrëdhëniet Shqipëri–SHBA.
Presidenti Trump ka artikuluar qartë një plan për mbledhjen e rreth 1 miliard dollarëve për paqen dhe rindërtimin e Gazës. Në këtë kontekst, ftesa ndaj liderëve apo përfaqësuesve të vendeve të ndryshme nuk është një nder personal, por pjesë e një strategjie financiare dhe politike, ku askush nga të ftuarit nuk ka realisht “sedrën” apo luksin të thotë jo. Kjo nuk është diplomaci ekskluzive për Shqipërinë, e aq më pak një fitore personale e Kryeministrit Rama.
Së dyti, propaganda e Ramës anashkalon me kujdes disa fakte të pakëndshme. Administrata Trump ishte ajo që hoqi regjimin e vizave për shqiptarët, një vendim me ndikim real dhe të drejtpërdrejtë për qytetarët, jo për klasën politike. Megjithatë, kjo nuk u reflektua kurrë në një përmirësim thelbësor të raporteve strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA-së në nivel institucional, por u përdor thjesht si kapital politik i radhës për pushtetin.

Po ashtu, nuk mund të anashkalohet fakti se gjatë viteve të fundit, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është reduktuar në një raport të ngushtë me disa ambasadorë, si Donald Lu apo Yuri Kim, ndërkohë që nga Shqipëria kanë ikur të pasur. Kjo është pasqyra reale e “stabilitetit” dhe “partneritetit strategjik” që propaganda qeveritare përpiqet të shesë.
Problemi kryesor nuk është ftesa në vetvete, por mënyra se si ajo manipulohet për opinionin publik shqiptar. Shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të trajtohen si publik që gëlltit çdo postim në Facebook si sukses historik. Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk maten me selfie politike, as me statuse patetike, por me rezultate konkrete: investime reale, sundim të ligjit, ulje të korrupsionit dhe ndalje të emigrimit masiv.
Në fund të ditës, kjo “fitore historike” e shitur nga Kryeministri është më shumë një fitore e propagandës sesa e diplomacisë. Shqipëria ka nevojë për marrëdhënie të sinqerta dhe të qëndrueshme me aleatët e saj, jo për tregime të zbukuruara që shërbejnë vetëm për të mbuluar dështimet e brendshme.
Paqja në Gaza është një kauzë e drejtë. Rindërtimi është i domosdoshëm. Por mashtrimi i shqiptarëve, duke u shitur iluzione personale si arritje kombëtare, është i papranueshëm.




