Fruthi po përhapet në Shtetet e Bashkuara dhe në Meksikë, dhe PAHO – Organizata Panamerikane e Shëndetësisë, që vepron nën OBSH-në – ka vendosur të rishikojë statusin e dy vendeve si shtete “pa fruth”. Për këtë çështje është planifikuar një takim më 13 prill.

Vendimi vjen pas shpërthimeve të fruthit të raportuara në SHBA që nga 20 janari 2025 dhe në Meksikë që nga 1 shkurti 2025. Në kuadër të mekanizmit rajonal për qëndrueshmërinë dhe riverifikimin e eliminimit të fruthit, rubeolës dhe sindromës së rubeolës kongjenitale në Amerikë, komisioni përkatës i PAHO-s mblidhet çdo vit, por mund të thirret edhe jashtë ciklit vjetor në raste emergjente, si këto epidemi.

Në SHBA, vetëm në Karolinën e Jugut, nga tetori 2025 deri më sot janë regjistruar 558 raste fruthi. Raste të lidhura me këto vatra janë raportuar edhe në Karolinën e Veriut, Ohio dhe në shtetin e Uashingtonit.

Në Meksikë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë regjistruar gjithsej 6.427 raste dhe 24 vdekje. Vetëm në dy javët e para të vitit 2026 janë konfirmuar 506 raste.

Deri në datën e takimit, Meksika dhe SHBA do të kenë kohë të përgatisin raporte të plota mbi situatën. Dokumentet do të përfshijnë përshkrime dhe analiza të detajuara, me prova epidemiologjike dhe laboratorike, të cilat do t’i nënshtrohen shqyrtimit nga komisioni. Vendimi përfundimtar do të merret nga drejtori i PAHO-s, i cili më pas do t’ua komunikojë autoriteteve kompetente të Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*