Autoritetet kineze kanë hapur një hetim ndaj Zhang Youxia, një nga figurat më të fuqishme të ushtrisë kineze dhe numri dy i Komisionit Qendror Ushtarak, i dyti vetëm pas presidentit Xi Jinping. Mediat shtetërore në Kinë raportojnë se Zhang dyshohet për “shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit”, një formulë që zakonisht përdoret nga Partia Komuniste për të nënkuptuar akuza për korrupsion.

Zhang Youxia është anëtar i Byrosë Politike (Politburo) dhe mban postin e zëvendëskryetarit të Komisionit Qendror Ushtarak, organi më i lartë drejtues i forcave të armatosura kineze. Sipas raportimeve zyrtare, nën hetim është vënë edhe Liu Zhenli, anëtar i Komisionit Qendror Ushtarak dhe shef i Departamentit të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.

Hetimi po zhvillohet nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës, duke konfirmuar se fushata e spastrimeve brenda strukturave ushtarake vazhdon të thellohet. Dyshimet për fatin politik të Zhang Youxia nisën të qarkullojnë që më 20 janar, kur ai mungoi në një seminar të rëndësishëm të Partisë Komuniste të drejtuar nga presidenti Xi Jinping, ku ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e Politburosë. Mungesa e tij u vu re veçanërisht pasi pamjet e aktivitetit u transmetuan nga televizioni shtetëror CCTV.

Me këtë zhvillim të ri, Komisioni Qendror Ushtarak duket se është pothuajse i “zbrazur” nga figura kyçe, pas epurimeve të vitit 2025 që çuan në largimin e gjeneralëve të rangut të lartë si He Hongjun, He Weidong dhe Miao Hua. Këto masa janë pjesë e një strategjie më të gjerë të presidentit Xi Jinping për të forcuar besnikërinë absolute dhe bindjen ndaj udhëheqjes politike brenda ushtrisë.

Disa analistë ndërkombëtarë kanë hedhur hipoteza për një përplasje ose përpjekje për marrje pushteti brenda Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Megjithatë, ekspertë të tjerë theksojnë se këto teori nuk marrin parasysh strukturën reale të ushtrisë kineze nën drejtimin e Xi Jinping, ku kontrolli politik i Partisë mbi forcat e armatosura është i centralizuar dhe i pakontestueshëm.

Hetimi ndaj Zhang Youxia përbën një tjetër sinjal të qartë se askush, pavarësisht rangut apo afërsisë me lidershipin, nuk është i paprekshëm në fushatën e brendshme të disiplinimit dhe konsolidimit të pushtetit në Kinë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*