Deklarata të reja tronditëse të yllit të ndjerë të pop-it amerikan Michael Jackson janë bërë publike përmes disa regjistrimeve audio të papublikuara më parë, të përfshira në një dokumentar të ri. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta britanike The Guardian.
Në këto regjistrime, Jackson dëgjohet duke thënë se “fëmijët binin në dashuri me personalitetin tim dhe donin të më preknin e të më përqafonin, dhe kjo ndonjëherë më fuste në telashe”.
Regjistrimet janë përfshirë nga Wonderhood Studios (Mbretëria e Bashkuar) në një seri dokumentarësh me katër episode, që do të nisë transmetimin të mërkurën. Seria, e titulluar “The Trial”, do të transmetohet nga Channel 4 dhe fokusohet në procesin penal që çoi në shpalljen e pafajësisë së Michael Jackson nga akuzat për abuzim seksual ndaj të miturve, pas një gjyqi që zgjati 14 javë pranë Los Anxhelosit në vitin 2005.
Në trailerin promovues të dokumentarit, dëgjohet zëri i butë dhe karakteristik i Jackson-it që thotë:
“Fëmijët… duan vetëm të më prekin dhe të më përqafojnë”.
Më pas ai shton: “Djemtë përfundojnë duke rënë në dashuri me personalitetin tim dhe ndonjëherë kjo më fut në telashe”.
Në të njëjtën klip, një person i intervistuar shprehet se disa nga pohimet e përfshira në këto regjistrime audio janë “të paprecedenta”.
Një ditë më parë, New York Post raportoi një tjetër deklaratë veçanërisht shqetësuese që, sipas gazetës, gjendet në të njëjtat regjistrime. Jackson thuhet se ka thënë:
“Nëse më thoni tani: ‘Michael, nuk do të mund të shohësh më kurrë një fëmijë tjetër’, do të vrisja veten”.
Sipas faqes zyrtare të Wonderhood Studios, dokumentari “The Trial” synon të shkojë përtej “cirkut mediatik” që rrethoi shpalljen e pafajësisë së Jackson-it dhe të ngrejë “pyetje të thella mbi famën, racën dhe sistemin gjyqësor amerikan”.
Para shpalljes së pafajësisë, Michael Jackson ishte akuzuar për ngacmim seksual të një të mituri, dhënie alkooli një fëmije, dehje të qëllimshme të një të mituri për qëllime abuzimi dhe për komplot për të mbajtur të mbyllur një të mitur dhe familjen e tij në ranch-in Neverland në Kaliforni. Këto akuza kishin origjinën nga dokumentari britanik “Living with Michael Jackson”, transmetuar në shkurt të vitit 2003.
Më 13 qershor 2005, një juri në Santa Maria, Kaliforni, e shpalli Michael Jackson të pafajshëm për të gjitha akuzat. Katër vjet e dy javë më vonë, këngëtari ndërroi jetë në moshën 50-vjeçare, si pasojë e asaj që autoritetet e përshkruan si “intoksikim akut” nga anestetiku i fuqishëm Propofol.





