
Shkolla është laike dhe nuk duhet të promovojë fe të caktuara, as të mësojë doktrina fetare, por një gjë e tillë ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Gustav Majer”.
Mësuesi i anglishtes ka predikuar fenë e Jehovait me nxënësit e arsimit bazë, dhe pas shqetësimit të prindërve, profesori është përjashtuar, shkruan TCH.
Me video për dashurinë hyjnore për Zotin dhe detyra në fletore për nxënësit e fillores, që lidhen me urdhërimet e Perëndisë, prindërit e klasës së katërt ngritën alarmin në drejtorinë e shkollës në fillim të javës.
Pas verifikimit nga komisioni i disiplinës, u vendos masa e largimit të mësuesit.
“5 orë mësim për Zotin. Thoshte fjalët e Zotit për fundin e botës. Na vendoste vetëm 10 për Zotin”, shprehet një nga nxënësit.
“Ka ndodhur një gjë e paparë, a ka më turp dynjaja, t’i thuash fëmijës ‘vdis sot, se do ngjallesh nesër?!’ Ti jashtë, në mbasdite, ki besimin tënd, po në shkollë jo. Gabim që nuk falet!”, thonë prindërit.
Dëshmitë e fëmijëve dhe prindërve janë tronditëse, teksa tregojnë përpjekjet për indoktrinimin e nxënësve brenda ambienteve shkollore. Rrëfimet zbulojnë se qasja e profesorit të anglishtes ishte e dukshme, por situata u përkeqësua kur bindjet e tij u bënë pjesë e programit mësimor.
Mësuesi i anglishtes shfrytëzonte orën e mësimit për të diskutuar tema fetare. Ndonëse shquhej si mësues i përgatitur në njohuritë e lëndës, kishte prindër pa dijeni mbi rastin ose të kënaqur me rezultatet e notave.
Një nga prindërit thotë: “Unë 5 vite e kam vajzën që bën anglisht dhe s’kam pasur shqetësim”.




