Kupa e Botës 2026, edicioni më i madh në historinë e kompeticionit me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve, është gjithnjë e më pranë. Për herë të parë në historinë e turneut, ceremonia hapëse do të zhvillohet në tri vende të ndryshme dhe në dy ditë të ndara, duke premtuar një spektakël unik për tifozët e futbollit në mbarë botën.

FIFA ka bërë të ditur se rreth 900 persona do të jenë të angazhuar në organizimin e ceremonive. I gjithë projekti i është besuar kompanisë italiane Balich Ëonder Studio, e specializuar në organizimin e eventeve madhore ndërkombëtare.

Në krye të projektit është Marco Balich, i njohur për organizimin e disa ceremonive olimpike, si dhe ceremonisë hapëse të Kupës së Botës 2022 në Katar. Ai ishte gjithashtu pjesë e projektit që realizoi ndezjen simultane të flakës olimpike mes Milanos dhe Kortina d’Ampecos.

Programi i ceremonive hapëse

11 Qershor – Meksikë

Ceremonia e parë do të mbahet në Stadio Azteca në Mexico City.

Spektakli do të nisë në orën 11:30 sipas kohës lokale (19:30 me orën e Shqipërisë) dhe do të sjellë në skenë emra të njohur të muzikës botërore si Shakira, Burna Boy, Alejandro Fernández, Belinda, Danny Ocean, J Balvin, Lila Doëns, Los Ángeles Azules, Maná dhe Tyla.

Pas ceremonisë do të zhvillohet ndeshja hapëse mes Meksikës-Afrikës së Jugut.

12 Qershor – Kanada

Dita e dytë e festës do të vazhdojë në BMO Field në Toronto.

Ceremonia do të nisë në orën 13:30 lokale (21:30 në Shqipëri), ndërsa në skenë do të performojnë Alanis Morissette, Michael Bublé, Alessia Cara, Elyanna, Jessie Reyez, Nora Fatehi, Sanjoy, Vegedream dhe William Prince.

Më pas do të luhet sfida mes  Kanadasë dhe Bosnje-Hercegovinës.

12 Qershor – Shtetet e Bashkuara

Ceremonia e tretë dhe më e madhe do të zhvillohet në SoFi Stadium.

Programi do të nisë në orën 16:30 lokale (00:30 sipas orës së Shqipërisë), me pjesëmarrjen e yjeve ndërkombëtarë si Katy Perry, Future, Anitta, LISA, Rema dhe Tyla, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar edhe emra të tjerë që do të zbulohen në ditët në vijim.

Ceremonia do të pasohet nga ndeshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Paraguait.

Me tri ceremoni të veçanta, dhjetëra artistë ndërkombëtarë dhe një organizim të paprecedentë, Kupa e Botës 2026 pritet të shënojë një kapitull të ri në historinë 96-vjeçare të turneut më prestigjioz të futbollit botëror.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*