
Shqipëria hyn sot në ditën e 45-të të protestave qytetare, ndërsa organizatorët kanë bërë të qartë se revolta nuk do të ndalet, pavarësisht temperaturave të larta apo sezonit turistik. Ashtu si në 44 ditët e fundit, edhe këtë mbrëmje qytetarët do të mblidhen para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec është shndërruar tashmë në një lëvizje mbarëkombëtare kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike. Çdo ditë, protestuesit kanë marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke mbajtur fjalime, pankarta dhe simbole që tashmë janë bërë pjesë e identitetit të kësaj lëvizjeje.
Edhe në tubimin e një dite më parë, protestuesit përsëritën se nuk do të tërhiqen. Nga podiumi u deklarua se rezistenca do të vazhdojë gjatë gjithë verës, pa asnjë ndërprerje, deri në muajin shtator, duke ftuar qytetarët dhe diasporën të mos e braktisin sheshin.
Në protestën e 44-t dominuan sërish thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, “Revolucion” dhe “Shqipëri e re”, ndërsa në podium u ngjitën aktivistë, përfaqësues të diasporës dhe qytetarë të cilët kërkuan vazhdimin e qëndresës deri në realizimin e kërkesave të protestës.
Organizatorët theksuan se protesta do të zhvillohet çdo ditë, pa pushim, gjatë gjithë sezonit veror, duke e cilësuar këtë si fazën më të rëndësishme të lëvizjes qytetare. Sipas tyre, qëllimi është që presioni ndaj qeverisë të mos zbehet, por të rritet deri në shtator.
Me këtë mesazh, protesta hyn sot në ditën e saj të 45-të, ndërsa qytetarët pritet të rikthehen sërish para Kryeministrisë, duke vijuar atë që e konsiderojnë si një rezistencë pa afat deri në largimin e qeverisë.




