Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri kundërshton ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar për rritje të çmimeve, shtim të barrës tatimore për bizneset dhe rrezik për investimet e huaja.

Ndryshimet parashikojnë rritjen e tatimit mbi dividendët nga 8% në 15%, të TVSH-së standarde nga 20% në 21%, si dhe të disa normave të reduktuara të TVSH-së nga 6% në 10%. Sipas Dhomës, këto masa mund të rrisin kostot e bizneseve, të kufizojnë riinvestimet dhe të ndikojnë në punësim e zgjerimin e aktivitetit ekonomik.

Shqetësim mbetet edhe ndikimi te konsumatorët, pasi shtrenjtimi i disa mallrave dhe shërbimeve mund të zbehë përfitimet nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë. Ndërkohë, rritja e taksave mund të dobësojë konkurrueshmërinë e Shqipërisë në raport me vendet e rajonit dhe të dekurajojë investitorët e huaj.

Dhoma Amerikane e Tregtisë i kërkon qeverisë të rishqyrtojë masat e propozuara, të publikojë analizat e ndikimit ekonomik dhe social dhe të zhvillojë konsultime reale me komunitetin e biznesit.

Si alternativa, ajo propozon zgjerimin e bazës së tatimpaguesve, luftën kundër informalitetit dhe përmirësimin e administrimit tatimor, si dhe parashikimin e një periudhe të arsyeshme për përshtatjen e bizneseve përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve, të parashikuara nga 1 janari 2027.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*