Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një fabrikë ëmbëlsirash në perëndim të Xhakartës, në Indonezi, duke shkaktuar alarm dhe shqetësim të madh. Sipas autoriteteve lokale të emergjencave, 39 persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa katër të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Zjarri shpërtheu pasditen e së shtunës në ambientet e kompanisë së prodhimit të ëmbëlsirave PT Fonua Agung Mulia, e vendosur në distriktin Serang, rreth 50 kilometra larg kryeqytetit Xhakarta.

“Për momentin, 39 persona janë ende në kërkim”, deklaroi Rizky Dwianto, zyrtar i Agjencisë Rajonale të Kërkim-Shpëtimit, duke konfirmuar gjithashtu se katër persona kanë marrë plagë nga incidenti.

Guvernatori i provincës Banten, Andra Soni, bëri të ditur se në momentin e rënies së zjarrit në ambientet e fabrikës ndodheshin rreth 60 persona. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit të flakëve, të cilat ende mbeten të paqarta.

Sipas një zyrtari të shërbimit zjarrfikës, ekipet e emergjencës u njoftuan në orën 16:30 me orën lokale. Kur mbërritën në vendngjarje, ndërtesa ishte përfshirë tashmë nga flakët, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen dhe vlerësimin e situatës.

“Për këtë arsye, nuk arritëm të përcaktonim nëse sistemi i sigurisë së kompanisë kishte funksionuar siç duhej apo jo”, deklaroi një përgjegjës i zjarrfikësve për mediat.

Pamjet e filmuara nga dronët tregojnë përmasat e dëmeve në fabrikë, ku një pjesë e çatisë është shembur dhe nga ndërtesa vijojnë të dalin sasi të mëdha tymi. Ndërkohë, familjarë të personave të zhdukur janë mbledhur pranë hyrjes së objektit, në pritje të informacioneve për fatin e të afërmve të tyre.

Kompania Fonua Agung Mulia prezantohet në platformën LinkedIn si pjesë e grupit Unifam, një prej kompanive të mëdha të sektorit të ushqimit dhe pijeve në Indonezi.

Indonezia është përballur edhe më parë me zjarre dhe aksidente të rënda industriale me pasoja tragjike. Në dhjetor të vitit 2025, një zjarr, që dyshohet se u shkaktua nga shpërthimi i baterisë së një droni, përfshiu një ndërtesë shtatëkatëshe në Xhakarta, duke shkaktuar të paktën 22 viktima.

Ndërsa në vitin 2023, 13 persona humbën jetën në lindje të vendit pas një shpërthimi në një rafineri nikeli.

Operacionet e kërkim-shpëtimit në fabrikën e ëmbëlsirave vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për gjetjen e personave të zhdukur dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*