Një fëmijë trevjeçar nga Gjermania u nxor i gjallë nga rrënojat e një aksidenti tragjik me tramvaj në Lisbonë të Portugalisë, ku humbën jetën 16 persona, përfshirë edhe babain e tij. Nëna e tij ndodhet mes të plagosurve, ndërsa mbi 20 të tjerë përfshirë turistë të huaj kanë pësuar lëndime të ndryshme.
Ngjarja ka tronditur thellë kryeqytetin portugez, duke lënë dëshmitarët në gjendje tronditjeje. Autoritetet lokale kanë nisur një hetim për të zbuluar shkakun e aksidentit dhe kanë urdhëruar kontrolle të menjëhershme në të gjithë rrjetin e tramvajeve të qytetit. Kompania e transportit publik, Carris, ka bërë me dije se ka filluar edhe një hetim të pavarur.
Shpëtimi i djalit të vogël është cilësuar si një mrekulli dhe ka sjellë një grimcë shprese dhe lehtësimi në mes të tragjedisë së rëndë që goditi qytetin. Ndërkohë, ekipet e emergjencës vazhdojnë punën për të ndihmuar të plagosurit dhe për të mbledhur informacione lidhur me aksidentin.