Nga: Agron Brataj

Zgjedhjet në qarkun e Vlorës kanë përfunduar. Fushata ka mbaruar, kutitë janë mbyllur, votat janë numëruar. Megjithatë, ajo që nuk mbaron kurrë në këtë vend është fushata e akuzave, përçarjes dhe mungesës së mirënjohjes.

Në vend që të vijë një moment reflektimi, qytetarie, apo falënderimi ndaj qytetarëve, ajo që ndodh është një valë hakmarrjeje morale, shpesh edhe personale, që shënjestron votuesit nga kandidatët humbës dhe ata fitues.

“Kush je ti?”

Kjo është pyetja që i bëjmë çdo kandidati që sapo ka marrë një mandat dhe ti qe nuk e ke marrë, e që në vend të një fjale falënderuese, fillon me akuza.

Kush je ti, që nuk ke asnjë lloj kontributi në komunitet, që nuk je parë askund veç në fushatë, por tani e sheh veten si gjykatës i popullit? Kush je ti, që nuk dhurove as një fjalë mirënjohjeje për ata që të votuan aponuk të votuan për njerëzit që dolën në radhë për të votuar në vapë, në shi, në zhgënjim e shpresë?

Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë “fitimtarë” me buzë të ngrira dhe zemër të mbyllur. Ka nevojë për përfaqësues të ndershëm, që dinë të humbin me dinjitet dhe të fitojnë me përulësi.

E nëse një kandidat nuk e nis mandatin me falënderim, atëherë e ka nisur me arrogancë  dhe kjo është rruga më e shkurtër drejt harresës.

E njëjta histori që përsëritet çdo 4 vjet

Kjo nuk është diçka e re. Sa herë mbyllen zgjedhjet në Shqipëri, fillon lufta e brendshme: kandidatët që nuk morën mbështetjen e mjaftueshme fajësojnë popullin; ata që fituan sillen sikur i shpëtuan njerëzit nga një katastrofë. Po a është kjo ajo për të cilën na duhet demokracia? Apo thjesht një skenë ku secili aktor luan për vete dhe askush për publikun?

Në vend që të ketë analiza të thella, të sinqerta dhe përpjekje për të kuptuar pse ndodhi ajo që ndodhi, partitë i rikthehen fjalorit të lodhur: “tradhti”, “mosmbështetje”, “komplot”, “interes personal”. Zhvlerësohet kështu akti më i rëndësishëm qytetar  vota  dhe fillon ringu i radhës i cinizmit politik.

Emigrim ose dorëzim?

Dikush do thotë: “Nëse s’të pëlqen, ik.” Dhe shumica e shqiptarëve pikërisht këtë kanë bërë. Janë larguar. Jo sepse nuk duan Shqipërinë, por sepse Shqipëria, ashtu siç menaxhohet, nuk i do ata. Çdo katër vjet ofrohen premtime, pako ushqimore, koncerte dhe buzëqeshje plastike. E më pas? Harresë, përbuzje dhe akuza ndaj po atij populli që një ditë u përdor si shkallë për t’u ngjitur.

A ka shpresë?

Ka .Por vetëm nëse ndalet ky cikël i mosfalënderimit dhe akuzave. Nëse një herë të vetme, një politikan humbës e pranon me dinjitet rezultatin, dhe një fitues e nis me përulësi rrugën e përfaqësimit. Nëse partitë nuk e shohin popullin si numra, por si njerëz me halle, me histori dhe me dinjitet.

Politika është shërbim, jo fron. Është përgjegjësi, jo privilegj. Nëse këtë e kuptojnë, ndoshta pas katër vitesh nuk do kemi më një fushatë ku vota blehet dhe qytetari përçmohet, por një garë idesh ku të gjithë ndihen pjesë e procesit.

Deri atëherë, le të mbajmë mend se votuesi nuk është fajtori. Është shpresa. Dhe kush e injoron ose e përbuz këtë shpresë, ka humbur shumë më tepër se një mandat.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*