Shkarkimet në Bashkinë e Vlorës, një “dorë e lirë” për Dredhën apo një tjetër shans për të vendosur rregull?
Historia e dorëheqjeve në Bashkinë e Vlorës nuk duhet të ishte lënë në mes. Kujtojmë që me rastin e zjarrit dhe situatave të tjera të rënda në qytet, Kryetari i Bashkisë kërkoi dorëheqjen e gjithë zinxhirit drejtues, por asokohe askush nuk u largua.
Vizita e sotme e Kryeministrit Edi Rama në Vlorë duket se i dha fund kësaj gjendjeje të zvarritur. Për shumëkënd, ndërhyrja e Ramës ka lehtësuar pozitat e kryebashkiakut Dredha në vendimmarrje. Nuk është sekret që një pjesë e mirë e drejtuesve aktualë kanë qenë për vite me radhë kontribuues të strukturave politike, çka e ka bërë të vështirë për Dredhën marrjen e hapave drastikë si largimi apo shkarkimi i tyre.
Sot, me shkarkimin zinxhir të drejtuesve, situata nuk lë shumë vend për interpretime. Kjo lëvizje më shumë sesa një “shkundje” për kryebashkiakun, duket si një mbështetje e hapur dhe një “dorë e lirë” për të riorganizuar Bashkinë e Vlorës sipas standardeve që ai ka premtuar.
Por një gjë mbetet e qartë: nëse Dredha dëshiron të vendosë një standard të ri, duhet të mos ndalet në këtë pikë. Largimet dhe dorëheqjet zinxhir duhet të ishin firmosur që në rastin e fundit, kur qyteti u përball me djegien e plehrave dhe përmbytjet, e askush nuk mbajti përgjegjësi reale.
Vonesa në marrjen e masave dhe ngurrimi për të larguar personat që nuk përmbushin detyrat, i kushtojnë qytetit, por edhe kredibilitetit të institucionit që drejton.
Tashmë, me mbështetjen e hapur nga lart, nuk ka më justifikime. Vlora pret vendime të qarta, struktura funksionale dhe mbi të gjitha përgjegjësi konkrete.




